Kushtet e komunitetit serb për Ligjin e Zgjedhjeve

Nenad Rashiq thotë se në Projektligjin për Zgjedhjet ka paqartësi. Sipas tij, njëra prej tyre është definimi i problemit për llojin dokumentacionit me të cilët do të votojnë serbët. Mendon se duhet të futen disa amendamentet të propozuara nga komuniteti serb.

Lajme

29/03/2014 18:01

Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, nuk janë të kënaqur me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kryetari i Partisë Progresiste Demokratike, Nenad Rashiq, ka kërkuar që në këtë Projektligj të futen edhe disa amendamente.

Megjithatë, nuk ka treguar se për çfarë propozimesh bëhet fjalë për të cilat po këmbëngulin deputetët serbë.

Rashiq ka thënë për lajmi.net se në Projektligjin ka disa paqartësi. Sipas tij, nuk është e definuar qartë se me çfarë dokumentacioni mund të votojnë serbët, sidomos për ata që janë të zhvendosur.

“Në Ligjin për Zgjedhjet i kemi disa propozime, i kemi disa amendamente. Bazuar në propozimet tona mendojmë se duhet të merret në konsideratë kërkesa e komunitetit serb”.

“Nuk mund ta di se çfarë amendamentesh dhe nuk mund të flas për këtë”.

“Në Ligjin për Zgjedhjet disa sende janë të paqarta, që kanë kuptime të dyfishta. Shembull me çfarë dokumentacioni mund të votojnë serbët, në veçanti me çfarë dokumentacioni mund të votojnë ata që janë të zhvendosur”.

“Duhet të sqarohen disa gjëra brenda Ligjit, sepse kjo shkon në favor të të gjithëve”.

Goran Marinkovic nga Partia Progresiste Demokratike, u ka thënë dje medieve serbe se përfaqësuesit e komunitetit serb kanë braktisur seancën, për shkak të Ligjit të diskutueshëm për Zgjedhjet.

Sipas tij, deputetët serb kanë vendosur të mos marrin pjesë në seanca, përderisa Projektligji për zgjedhjet të mos largohet nga procedurat e votimit.

Por, Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thotë se Marinkovic nuk e ka braktisur seancën, mirëpo ndoshta nuk ka mundur të marrë pjesë.

Ai thekson se si parti politike do të marrin pjesë në secilën seancë edhe në kohën e aprovimit të Ligjit, por duke marrë parasysh edhe amendamentet që propozohen nga ana e pakicës.

“Ne si parti politike do të marrim pjesë në çdo seancë që është në praktika të aprovimit të Ligjit, por duke pasur parasysh amendamentet që do të propozojmë ne”.

I pyetur se a do ta votojnë  Ligjin siç është aktualisht, Rashiq nuk ka qenë i qartë në përgjigjen e tij.

“Gjithmonë kemi qenë për kompromis dhe në çdo aktivitet kemi treguar konstruktivitetin brenda dhe jashtë Parlamentit, që domethënë ne jemi vetëm që të respektohen parimet politike që kemi”.

Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite ishte Projektligji për Zgjedhjet është ndërprerë, për shkak të mungesës së kuorumit.