Kush po i fluturon dronët mbi stacionet bërthamore të Francës?

Autoritetet franceze kanë shprehur brengosjen e tyre pasi dronë (fluturakë) të vegjël, që përdorën për incizime, fotografi, por edhe si lodra fëmijësh, janë parë tek fluturojnë përmbi stacionet bërthamore gjatë tri javëve të fundit.

Bota

31/10/2014 11:37

Ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, ka thënë për BBC-në se hetimet rreth këtij incidenti janë duke u bërë, porse ende nuk është e qartë se kush i ka lëshuar, nga cili vend dhe as arsyen pse është bërë kjo.

Deri më tani, policia franceze ka të dhëna se “dronët” kanë fluturuar përmbi stacionet bërthamore në shtatë vende të ndryshme të Francës gjatë tri javëve të fundit, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Autoritetet janë të shqetësuara përkundër konstatimit se “dronët” që janë përdorur për të “vëzhguar” centralet bërthamore janë të vegjël dhe nuk mund të mbajnë eksploziv apo mjetë tjetër që do të shkaktonte ndonjë katastrofë.

Sidoqoftë deri më tani nuk ka të dyshuar, edhe pse në disa media është përmendur mundësia që këtë ta kenë bërë aktivistët e “Grrenpeace”, që luftojnë për mbrojtjen e mjedisit.

Aktivistët e kësaj organizate e kishin lëshuar para dy vjetësh një dronë përmbi një central bërthamor, për të dëshmuar ndotjen e ambientit, porse kësaj radhe “Greenpeace” e ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë lidhje me incidentin në fjalë.

Yannick Rousselet nga “Greenpeace” ka thënë se aktivistët e organizatës së tyre nuk kanë të bëjnë fare me këtë incident, duke shprehur shqetësimin për sigurinë në stacionet bërthamore, duke pyetur se si ka mundësi të dronët të futen dhe të dalin nëpër vende të tilla dhe autoritetet të mos e dinë se nga vijnë.