Kush merr vendime këtu?

Jemi mjeshtër, nëse diç e tillë mund të kualifikohet si mjeshtri, të sjelljes së vetvetes në situatë kur nuk zgjedh midis dy të mirave, por midis dy të këqijave.

Opinion

30/04/2014 15:56

Ne nuk po marrim vendime. Vendimet po na marrin ne.

Ne nuk po u primë situatave, apo gjendjes aktuale. Situatat apo gjendja e krijuar, po na prinë neve.

Ne nuk po dimë çka po bëjmë. Pastaj, po bëjmë çka po mundemi. Apo, çka po duhet të bëjmë. Apo çka po na thënë të bëjmë.

Dhe kështu për çdo ditë të lume. Për çdo javë. Dhe tutje.

A është ky një përshkrim i ndershëm, i saktë, i qëndrueshëm i politikës së sotme kosovare?

A është teprim, ragim çasti, apo një konkludim që reflekton vazhdimësinë e rënies së politikës kosovare?

Jemi mjeshtër, nëse diç e tillë mund të kualifikohet si mjeshtri, të sjelljes së vetvetes në situatë kur nuk mund të zgjedhësh midis dy të mirave, por midis dy të këqijave, siç na ndodhi javës së shkuar, kur Kuvendi i Kosovës, pa kurrfarë vullneti politik, aprovoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe BE-së, i cili mundëson, pos tjerash, krijimin e Gjykatës së Veçantë për krimet e supozuara të bëra në vitet 1999, 2000.

Një fjalë e moçme angleze thotë që kur gjithçka rreth teje është keq, më e mira gjë që mund të bësh është të mos e zgjedhësh më të keqen.

Këtë pra ditën ta bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës para një jave. U shmang solucioni më i keq i mundshëm.

Nëse dihet se cili ishte varianti më i keq i mundshëm, cili paska qenë ai që do të meritonte të cilësohej si i mirë, të mos thuhet edhe më i miri i mundshëm?

Çfarë mund të thuhet gjithsesi është që vetë fakti që 15 vjet pas çlirimit, po bëhet një Gjykatë e Veçantë për krimet e supozuara të bëra shumë kohë më para, dhe që 6 vjet pas mbërritjes së EULEX-it në Kosovë, po vendoset që ky Mision, edhe pse i ndryshuar në masë të madhe, të vazhdojë të mbetet në Kosovë, dëshmon që shumëçka nuk është në rregull në këtë shtet, në këtë shoqëri dhe në këtë politikë.

Lajmi i mirë do të ishte ai i cili do të thoshte, ta zëmë, që EULEX-i ka përmbyllur me sukses mandatin e tij në Kosovë. Që në vitet sa ka funksionuar Misioni ndërkombëtarë i sundimit të ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë pësuar një rënie të ndjeshme dhe që Kosova është shteti më i qëndrueshëm në rajon, sa i përket sundimit të ligjit. Që sistemi i drejtësisë i Kosovës, tani qëndron në këmbët e veta dhe e vetmja gjë që i duhet është vazhdimësia e bashkëpunimit të ngushtë me Zyrën e BE-së në Prishtinë, në kuadër të të cilit do të funksionojë edhe një Zyre këshilluese.

Lajmi i mirë do të ishte ai i cili do të theksonte që Kosova ka përmbyllur dosjen e krimeve të luftës, apo të viteve 1998, 1999, në këtë segmentin çka i ka takuar vetë sistemit të drejtësisë të Kosovës.

Lajmi tjetër i mirë do të pohonte që edhe krimet më të rënda të pasluftës, janë zbardhur në masë të madhe, apo që janë goditur të gjithë ata që me krime janë përpjekur ta ndryshojnë rrjedhën politike dhe shoqërore në Kosovë.

Në fakt, këto lajme të mira  (të supozuara), nuk kanë mundur dot të bëhen a të prodhohen veç prej nesh. Është dashtë të punojë UNMIK-u si duhet, e këtë nuk e ka bërë. Është dashtë të punojë EULEX-i si duhet. As ai këtë nuk e ka bërë. Është dashtë të punojmë edhe ne, më së shumti madje, dhe këtë nuk e kemi bërë. Tash do të ketë edhe faktorë të tjerë, të ri në drejtësinë kosovare. Ndërsa grumbulli i problemeve të rënda, të mbledhura prej vitit 1999-të e këndej, ka të njëjtën perspektivë, si po duket, si ai mali i dosjeve gjyqësore që nuk do të përmbyllet kurrë.

Çka po bëjmë kështu, mbase, askush nuk mund t’i bie në fije.

E kemi bërë tash lëmsh punën e datës së zgjedhjeve, kemi sjellë veten sërish, si edhe në këtë temën e Gjykatës së Veçantë, në një kënd të vdekur, apo, pa zgjedhje të hajrit.

Ndërsa zgjedhjet, votimet, duhet të prodhojnë dobi supreme politike në një vend, e jo të jenë dëmtimi më i madh politik që mund t’i bëhet një vendi demokratik, siç ishte zaten rasti me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2010.