Kush merr pjesë sot në tryezën e LDK-së?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar një tryezë mes partive politike sot në ora 13:00.

Lajme

25/04/2018 08:29

U tha se në këtë takim do të diskutohet për temat e mëdha në vend, dhe gjithashtu edhe për zgjedhjet. Mirëpo deri më tani jo të gjitha partitë politike në vend kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Deri më tani zyrtarisht pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate.

Partia e Albin Kurtit në fakt ditë më parë e kishte konfirmuar se do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së LDK-së. Albulena Haxhiu kishte thënë se për temat e mëdha, ka nevojë për unitet politik.

Kurse nga AAK-ja, Pal Lekaj e kishte konfirmuar për lajmi.net ditë më parë se i përkrahin takimet që kanë synim bashkimin e partive politike. Por, Lekaj kishte thënë se për zgjedhjet nuk dihet a do të diskutojnë. Kjo pasi zgjedhjet janë të mandatuara me Kushtetutë.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi e ka konfirmuar se partia e tij do të marrë pjesë në këtë takim të LDK-së. Sherifi tha se tryezat e tilla duhet të shërbejnë për unitet politik në vend.

Dy grupet parlamentare që deri më tani nuk kanë dhënë konfirmime zyrtare janë PDK-ja dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Memli Krasniqi nga partia e Kadri Veselit ka thënë për lajmi.net se nesër do ta konfirmojnë vendimin,

“Nesër e bëjmë publik qëndrimin tonë”, ka deklaruar shkurt Krasniqi.

Edhe deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosja kanë bërë të ditur se vendimin do ta marrin me kohë. Kjo pasi disa deputetë nuk janë në Prishtinë. Deputetja e pavarur, Shqipe Pantina ka thënë për lajmi.net se kërkesa e LDK-së është e nevojshme.

“Ideja është e pranueshme megjithëse ata para se të marrin tryezën po e supozojnë një konkluzion e që është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo duhet të disutohet edhe të del në treyezë, edhe pse e shoh të vështirë, pasi partitë që janë në pushtet nuk kanë arsye pse duhet të bijnë dakord për zgjedhje”, ka thënë deputetja Pantina.

Në kohën kur LDK-ja thirri tryezë politike, edhe Kadri Veseli doli me një platformë për temat e mëdha, por pa i përfshirë zgjedhjet./Lajmi.net/