Kush janë Nazif Mehmeti e Sami Lushtaku, dy të ftuarit për intervistim nga Specialja

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Gjykata Speciale e Kosovës ka nisur punën e saj hetimore për krimet e supozuara të luftës që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët.

Lajme

11/12/2018 20:20

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë që funksionojnë në kuadër të kësaj gjykate kanë nisur t’i ftojnë një nga një personat të cilët mund t’i hyjnë në punë gjatë fazave hetimore, shkruan lajmi.net.

Vetëm sot, u konfirmua thirrja për Sami Lushtakun e Nazif Mehmetin.

Ky i fundit, ish-shef i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit, ishte dënuar edhe më herët për krime lufte.

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili ishte vërtetuar më 2015, Mehmeti ishte dënuar me 3 vjet heqje lirie.

Mbi të rëndojnë akuzat për krime të luftës kundër popullsisë civile, në veçanti trajtim çnjerëzor, shkaktim i vuajtjeve të mëdha apo cenim i integritetit trupor ose i shëndetit, aplikim i masave të frikësimit, terrorit dhe torturës.

Sipas versionit të Prokurorisë, Nazif Mehmeti me përgjegjësi mbikëqyrëse dhe personale, duke vepruar në bashkëpunim me individë të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës të mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në qendrën e mbajtjes së të burgosurve në Llapashticë në përpjekje të detyrimit me forcë të këtyre të burgosurve që t’i pranojnë aktet e pabesisë së tyre ndaj UÇK-së.

Si pjesë e “Grupit të Llapit” ishin dënuar edhe Rrustem Mustafa me 4 vjet burgim, Latif Gashi me 6 vjet dhe Nazif Mehmeti më 3 vjet burgim.

Në ndërkohë, nga Gjykata Speciale është ftuar edhe Sami Lushtaku, ish kryetar i Skenderajt.

Për Lushtakun, përballjet me drejtësinë nuk janë diçka e re, megjithëse ai është shpallur i pafajshëm nën akuzën për krime lufte.

Ish-kryetari i Skenderajt, nën akuzën për vrasjen e një civili gjatë kohës së luftës, ishte dënuar me 12 vjet heqje lirie.

Ndërkohë që më vonë, i njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Dytë.

Mirëpo, me shpalljen i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, Lushtaku nuk u iku përballjeve me drejtësinë.

Rasti i parë që rëndon mbi Lushtakun është ai me KEK-un dhe tenderin për sigurimin fizik të objekteve të kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkaq rasti i dytë është ai për tentimin e ikjes nga burgu.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi që aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, përveç Lushtakut e Mehmetit, ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale ka marrë edhe Sokol Dobruna dhe Rrustem Mustafa. /Lajmi.net/