Kush i prin shtetit?

Qytetari një herë në katër vjet udhëheq me shtetin: Për 12 orë, aq sa zgjasin votimet. Në katër vjetët tjerë, opozita, qytetari, mediat, OJQ-të, kushdoqoftë, kritikon e proteston, bën gjithçka, por nuk udhëheq me shtetin.

Opinion

20/11/2013 09:30

U bë si u bë, dhe në fund, të gjithë dolën fitues. Diçka e tillë nuk ndodh as në filmat më të këqij të mundshëm. Në jetë, assesi.

Nuk ka fitues të shumtë, pa asnjë humbës. Së paku. Në mos më tepër.

Të lumtur e të kënaqur pra u shfaqën Qeveria e Shqipërisë, opozita institucionale dhe jashtë-institucionale, qytetarët e thjeshtë, gjithsesi, ata që u tubuan me zë dhe me qëndrim të prerë para ndërtesës së Qeverisë.

Më në fund, as Ambasada e SHBA-së nuk doli me qëndrim kundërshtues.

Si në përralla, të gjithë pastaj vazhduan jetën të gëzuar e të lumtur.

A thua?

Në jetën e rëndomtë, të lodhshme dhe të mërzitshme, e para gjë që mbase të bie ndërmend është ai kallëzimi për një vizitor në një të pame, këtu tek ne në Kosovë, i cili hy në një shtëpi pasi sheh atë karrigen e zbrazët që dëfton për zinë dhe për dekën.

Ngushëlluesi nuk i bie në fije në fillim se kush ka vdekur, prandaj pyet disa herë: A u mërzitët për vdekjen e filanit a fistekut?

Pleqtë e shtëpisë i thonë që këta për të cilët ky i ngushëllon, janë të gjallë.

Më në fund, ky që ka ardhur për kryeshëndosh pëlcet dhe u thotë: Dikush prej jush ka vdekur, se karrigen e keni para shtëpisë. Më tregoni kush, se nuk kam shumë kohë për të humbur.

Në rrëfimet politike shqiptare në te dy anët e një kufiri që na bashkon në marrëzitë e shumëllojta politike, mbase, një karrige e vetme, nuk mjafton. Duhet më shumë të tilla.

E pra, pak a shumë e dimë çka u bë dhe çka nuk u bë javën e kaluar, kur Qeveria e Kryeministrit Edi Rama bëri të ditur që ka kthyer mbrapsht kërkesën e Qeverisë Amerikane për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë.

Në ditët para dhe pas këtij vendimi, nuk pati debat të mirëfilltë se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë. Pati britmë dhe piskamë, histeri dhe histori, zhurmë të madhe të injorantëve dhe heshtje të atyre që dinë diçka për gjithë këtë punë, pati mësymje të rëndomta shqiptare për t’u shfaqur para kamerave televizive.

Në fund, siç thanë shumë veta andej dhe këndej, fitoi vullneti i popullit.

U ndamë mirë me të gjithë pra, Amerika nuk na është hidhëruar.

Çka duam më shumë, tek e fundit?

E gjithë tollovia e zhurmshme rreth qëndrimit të Tiranës zyrtare për temën e shkatërrimit të armëve kimike, kur të bie poshtë pluhuri i ngritur me të madhe kohëve të mbrama, do të na shfaqet si mungesë elementare e marrjes së një Qeverie me punët e veta.

Temat e kësisojta, e të tilla në Kosovë na shfaqen së paku një-dy herë në vit  (vjet, ta zëmë, Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë, Dialogu politik i Kosovës me Serbinë), nuk durojnë dot, për shkak të peshës dhe rëndësisë që kanë, të mbyllen vetëm në adresën zyrtare të Qeverisë. Më së paku durojnë të jenë pronë vetëm e Qeverisë, edhe kur bëhet fjalë për raportin e thjeshtë të një qeverie me qytetarin, të qeverisë me opozitën, të qeverisë me opinionin publik. Në rastin konkret, kemi të bëjmë gjithsesi edhe për raportin ndërkombëtar të Qeverisë së Shqipërisë me SHBA-në, me shtetin me të cilin i madh e i vogël kemi dëshirë të themi që na lidh një miqësi e përjetshme, dhe me relacionin e Qeverisë së Shqipërisë me Paktin NATO.

Të mos harrojmë që hyrja e Shqipërisë në NATO, në vitin 2008, tok me pavarësimin e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, llogariten si tri pikat kulmore të historisë kombëtare.

Si në këto relacionet e brendshme, ashtu edhe në këto të tjerat ndërkombëtare, çfarë kemi parë në javën e shkuar ka qenë një shpërgjegjësim, i rastësishëm a i qëllimshëm këtu nuk ka fare rëndësi, i Qeverisë prej detyrimeve të veta ndaj vendit, ndaj qytetarëve të tij, ndaj SHBA-së, ndaj Rendit Ndërkombëtar.

Qytetari a populli, edhe në këtë rast, është shfrytëzuar për të veshë me petkat e përrallës së Andersenit trupin lakuriq të një Qeverie që nuk di çfarë kërkon aty.

Qytetari një herë në katër vjet udhëheq me shtetin: Për 12 orë madje, jo më shumë, aq sa zgjasin votimet për një qeveri të radhës.

Në katër vjetët vijuese, opozita, qytetari, mediat, OJQ-të, kushdoqoftë, kritikon, propozon, proteston, bën gjithçka, por nuk mund dot të udhëheqë me shtetin.

Dihet çka ndodh në atë rast. I kemi ende të gjalla përvojat historike.

Por, në këto politikat shqiptare, nuk ka vullnet për t’u marrë fare me pyetjen pse një ‘karrige’ bosh rri në hyrje të shtëpisë. Ajo zakonisht futet brenda shpejt, madje, mohohet që ka qenë ndonjëherë aty, për të vazhduar me të vjetrën. Deri te një tjetër rast, deri te në tjetër ‘karrige’ që dëshmon dështimin e radhës.

 

(Autori është Nënkryetar i Parë i AAK’së. Kjo kolumne është shkruar enkas për lajmi.net)