Kush është shefi në LDK?

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e paqartë nëse Presidenti Thaçi do duhej të udhëheq bisedimet e dialogut me Serbinë.

Lajme

08/07/2018 21:20

Deklarata kundërthënëse ka në mes nënkryetarit dhe deputetëve të LDK-së.

Ishte nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri i cili në një intervistë për televizionin publik deklaroi se Hashim Thaçi duhet të legjitimohet nga Kuvendi për të shkuar në dialog me Serbinë.

“Presidenti Thaçi po e shfrytëzon mekanizmin kushtetues dhe ky mekanizëm kushtetues i jep legalitet. Por, ne po flasim për një legjitimitet, i cili do të ndërtonte konsensus politik brenda partive. Faktikisht, ky mekanizëm është aktivizuar në raundin e parë apo takimin e parë të bisedimeve, por që edhe më tutje edhe si nevojë e oksigjenit politik domosdo do të ishte që të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik dhe një Kuvend i Republikës, i cili mund, dhe duhet të ketë rol kushtetues, rol mbikëqyrës në këtë proces dhe në fund e merr edhe ratifikimin edhe vulosjen e këtij procesi”, ka thënë Haziri.

Por kundër Hazirit po del të jetë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ka deklaruar se Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk ka autoritet kushtetues që të mund ta udhëheqë procesin dialogues.

“Ne e shohim iniciativën e Presidentit të paautorizuar për të marrë pjesë në dialog dhe si të tillë e refuzojmë. Ne kemi dalë me një alternativë, e alternativa jonë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhje e një qeverie kredibile dhe më pas kjo Qeveri të marrë përsipër procesin dialogues në Bruksel me kompetencë…Ne nuk e përkrahim, nuk e mbështesim në asnjë formë, një individ që merr aventura individuale pak a shumë, pa mbështetjen politike në Kosovë. E në këtë fazë serioze të Kosovës, e rëndësishme është mbështetja politike”, ka thënë Abdixhiku.

Kundër Hazirit ka dalë edhe shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti thotë se ky mund të jetë vetëm qëndrim personal i Hazirit.

Por si mund të jetë qëndrim personal deklarata e nënkryetarit të parë të LDK-së? Apo thënë ndryshe, cili ka pozitë më të rëndësishme në LDK? Lutfi Haziri si nënkryetar dhe kryetar i Gjilanit, apo Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar dhe humbës i zgjedhjeve nacionale si kandidat për kryeministër?

“Nuk mendoj se Haziri ka thënë ashtu. Por, nëse po, atëherë nuk do të përfaqësonte qëndrimin e LDK-së, por do të ishte vetëm një deklaratë e një anëtari të LDK-së”, pati thënë Hoti, duke e minimizuar rolin e Hazirit në vetëm të një anëtari të thjeshtë të LDK-së.

YouTube player