Kush është Safet Syla, personi i radhës i ftuar nga Gjykata Speciale

Është bërë publik edhe emri i pestë i ftuar për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë.

Lajme

12/12/2018 10:42

Pas Sami Lushtakut, Rrustem Mustafës, Sokol Dobrunës dhe Nazif Mehmetit, ish-ushtari i UÇK-së nga zona e Pashtrikut, Safet Syla është i ftuari i radhës, shkruan lajmi.net.

Syla, gjatë luftës së fundit në Kosovë kishte shërbyer si kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut.

Pas përfundimit të luftës, Syla shërbeu drejtor i Zyrës për Çështje të Trashëgimisë së TMK-së.

Kjo zyre funksionon në kuadër të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ishte vetë Syla i cili në qershor të 2015-ës kishte marrë pjesë në protestën e OVL UÇK-së kundër Gjykatës Speciale.

Madje, aso kohe ai u kishte bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të lëshojnë seancën e cila po mbahet dhe t’i bashkëngjiten protestës kundër kësaj Gjykate.

Mirëpo, tri vite më vonë, vetë Syla u ftua nga Gjykata Speciale, në cilësinë e dëshmitarit.

Në ndërkohë, ende nuk dihen emrat e të ftuarve tjerë për intervistim nga Gjykata Speciale. /Lajmi.net/