Kush është më i fuqishëm në LDK, Avdullah Hoti apo Lutfi Haziri?

Ish kandidati i LDK-së për kryeministër i cili humbi zgjedhjet e fundit parlamentare, vazhdon të mbajë kontrollin e plotë të partisë që drejtohet formalisht nga Isa Mustafa, i cili ia ka lënë pushtetin absolut në dorë Hotit si bashkëpunëtor personal prej që Mustafa është rikthyer në politikë.

Lajme

05/09/2018 12:59

Avdullah Hoti e ka marrë bajrakun e LDK-së. Është hera e parë në historinë e kësaj partie që një shef i Grupit Parlamentar bëhet më i rëndësishëm se vet kryetari, nënkryetarët, kryesia, etj.

Aktualisht LDK-ja de fakto po drejtohet nga Avdullah Hoti, i cili duket se betejën e LDK-së e ka shndërruar në betejë personale.

Megjithatë, shtrohet pyetja se ku janë njerëzit e “fuqishëm” të kësaj partie. Ky janë nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Agim Veliu. Derisa Haziri është deri diku aktiv në media, Agim Veliu nuk është bërë i gjallë që një kohë.

E tërë këtë heshtje më se miri po e shfrytëzon Avdullah Hoti.

Se situata brenda LDK-së nuk është në “terezi” e vërteton edhe fakti se nënkryetari i parë, Lutfi Haziri nuk është në të njëjtën vijë me Avdullah Hotin dhe Grupin Parlamentar të LDK-së sa i përket mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan lajmi.net.

Haziri angazhohet që Lugina t’i bashkohet Kosovës, kurse Avdullah Hoti me kompani është kundër kësaj ideje, bile ai po i prin valles që Kuvendi me rezolutë ta bllokojë një gjë të tillë.

“Unë e kam besim politik, e kam kauzë politike dhe e kam amanet politik që përfundimisht kufijtë e vitit 1956 t’i realizojmë dhe t’i bëjmë fakt në Republikën e Kosovës duke absorbuar kërkesën politike të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, bazuar në referendumin e tyre, në vullnetin e tyre të shprehur me referendum në kohën e caktuar, për të qenë pjesë e Kosovës sepse ata historikisht dhe gjeografikisht kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e Kosovës”, ka thënë dje Lutfi Haziri.

Sipas tij, duhet të mbetet kështu dhe kjo mundësi është historike që të zgjidhet problemi i tyre, problemi jonë jo i tyre sepse me vet faktin se po flasim për ata po flasim për diçka të huaj – ata nuk janë të huaj, ata janë viktima politike e Kosovës së Vjenës sikur Kosova ka qenë viktimë politike kolektive e Shqipërisë së Londrës”.

“Ka ardhë koha të rregullohen dhe nuk duhet të frikësohemi nga ky ndryshim”, tha Haziri.

Sipas Hazirit, bashkëngjitja e Luginës me Kosovën nuk nënkupton cenim të territorit të Kosovës.

Të njëjtën gjë po e thotë edhe presidenti Hashim Thaçi. Vija është e njëjtë, por akterët dallojnë. /Lajmi.net/