Kush është Loris Karius, portieri i Liverpoolit që dështoi në finale kundër Real Madridit

Trajnerët dhe lojtarët e futbollit përpiqen të përfytyrojnë dhe parashikojnë disa situata, por futbolli është i paparashikueshëm.

Sport

27/05/2018 22:56

Liverpool kaloi një sezon të jashtëzakonshëm, të jashtëzakonshëm i pati edhe 20 minutat e parë kundër Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve, por lëndimi i Mohamed Salah dhe gabimet e portierit Loris Karius, i kushtuan me humbje skuadrës së drejtuar nga Jurgen Klopp.

Portieri gjerman ndaj Realit kishte një ndeshje për t’u harruar. Ai së pari gaboi te goli i Benzemas, pastaj dështoi të perceptonte goditjen e Bale te goli i tretë i Realit.

Dy gabime të papranuara për një portier që pati një sezon të mirë, dy gabime në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.

Por kush është Loris Karius?

Karius erdhi në Liverpool me dëshirën e Jurgen Klopp. Të dy kanë klub të origjinës skuadrën gjermane Mainz.

Klopp te Liverpool Kariusit ia besoi portën, duke e lënë në bankinë Simon Mignolet.

Karius në Anfield arriti në vitin 2016, ai si fëmijë adhuronte legjendën gjermane Oliver Kahn, nga i cili edhe u frymëzua, sidomos pas ndeshjen finale të Bayern Munich kundër Valencias në vitin 2001.

Në sezonin e parë te Liverpool ai zhvilloi vetëm 10 ndeshje, ndërsa në sezonin e dytë fitoi besimin e plotë, duke u paraqitur në 32 ndeshje.

Natën e 26 majit ai do ta kujtojë gjithmonë, me Real Madridin që ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve, dhe me vetën e tij që ecte rreth fushës së stadiumit të Kiev me lot në sy duke iu kërkuar falje tifozëve të Liverpool për gabimet që nuk do t’i falen kurrë./Lajmi.net/