Kush është Emiliano Shullazi?

Kush është Emiliano Shullazi? Kjo pyetje e shtruar rëndom këto ditë në mediat dhe emisionet televizive, ka marrë një përgjigje që më së shumti, ka shkuar drejt profilit të personit problematik dhe bëmave të tij.

Opinion

21/04/2016 09:20

Nuk ka asnjë dyshim që edhe ato kanë rëndësinë e tyre, madje një rëndësi të madhe për të cilën Prokuroria duhet të hetojë. Por personalisht besoj se Emiliano Shullazi shkon përtej emrit konkret. Më shumë se sa një person me gjithë veset e tij ai përfaqëson një fenomen, një fenomen që ilustron më mirë gjendjen e Shqipërisë që kemi sot.

Emiliano Shullazi është tendenca e vazhdueshme e politikës për t’u lidhur me botën e krimit dhe për ta përdorur atë. Eshtë bastardizimi i gjithë parimeve dhe normave politike në surrugatllëk, ku dominimi i pushtetit është më i rëndësishëm se sa shërbimi ndaj qytetarit.

Emiliano Shullazi është dështimi i konkurimit dhe zgjedhjeve të lira, kudo që janë ato. Në politikë, në zgjedhje parlamentare apo lokale, në sport, në universitete, madje edhe në organizatat rinore. Eshte filozofia e ngulitur se zgjedhjet janë më kollaj të vidhen e të manipulohen se sa të fitohen.

Emiliano Shullazi është dështimi i sistemit të drejtësisë, është shembulli më i mirë i një fjalie mbresëlënëse në shoqërinë e sotme. Ajo sipas së cilës në Shqipëri ka drejtësi, por është pak e shtrenjtë! Eshtë shitja e shtetit dhe institucioneve të tij tek shkelësit e ligjit, sipas një parimi fare të thjeshtë: shërbimi më i mirë i takon atij që paguan me mirë dhe jo atij që ke detyrim t’ja ofrosh, dmth qytetarit.

Emiliano Shullazi është dështimi i procesit të kthim kompensimit të pronave, një proces i deformuar, që ka prodhuar më shumë pronarë fallco se sa realë. Një proces që meriton më së miri slloganin: Prona shkon jo tek ai që i takon, por tek ai që e zapton, ose e merr me dhunë.

Emiliano Shullazi është dështimi i mediave. I të gjithë atyre gazetarëve që nuk kanë kurajo t’i thonë të vërtetat, ose i deformojnë me qëllim ato. I gjithë atyre që të hënën në mbrëmje i zuri gripi dhe i mbyti kolla kur ftoheshin në një emision ku do flitej për të.

Emiliano Shullazi është dështimi i biznesit dhe sipërmarrjes së lirë. Dështimi i atyre që tentojnë t’i zgjidhin problemet e tyre me të fortë dhe dështimi i atyre që nuk i denoncojnë presionet apo gjobat që ju vënë.

Emiliano Shullazi është përçudnimi i një endërre që mendohej krejt ndryshe në vitin 1990 – 1991. Nuk është ai as fajtori as mëkatari më i madh, në një vend, ku mëkati ju takon të gjithëve nga pak dhe ku të gjithë, kontribuojnë që ky vend të dominohet nga shullazët dhe të ngjashmit e tij. Eshtë mitizimi i botës së krimit, që krijohet dhe stimulohet për t’i shërbyer politikës dhe në fund merr peng atë. Dhe bashkë me të, gjithë shoqërinë! /Opinion.al