Kush do ta zëvendësojë Hashim Thaçin si ministër?

Hashim Thaçi dje është zgjedhur president i ri i Kosovës. Në raundin e tretë ai ka arritur t’i sigurojë 71 vota për t’u zgjedhur president.

Lajme

27/02/2016 18:43

Hashim Thaçi postin e ministrit të Jashtëm, si dhe atë të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës do t’ia dorëzojë dikujt tjetër.

Siç merr vesh gazeta “Zëri”, Hashim Thaçi detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme do t’ia besojë përsëri bashkëpartiakut të tij, Enver Hoxhaj.

Nuk dihet ende nëse Hoxhaj do ta pranojë këtë post. Hashim Thaçi si i pari i kësaj Ministrie nuk njihet për ndonjë sukses të madh.

Ai në këtë detyrë Kosovës arriti t’i sigurojë vetëm dy njohje, si dhe me diplomacinë e tij nuk ka arritur që Kosova të pranohet në UNESCO.

Analistë dhe shumë njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare punën e Thaçit si ministër i Punëve të Jashtme nuk e vlerësojnë të suksesshme.

Ata kanë vlerësuar se Thaçi në këtë proces diplomatik nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe se Kosova ka pasur shumë ngecje në sferat ndërkombëtare. Ndërkaq Partisë Demokratike të Kosovës nga muaji prill do t’i duhej ta ketë udhëheqësin e ri.

Lideri i saj, Hashim Thaçi, me marrjen e postit të shefit të shtetit detyrohet, sipas Kushtetutës, të japë dorëheqje nga udhëheqja e Partisë, të cilën e formoi në vitin 1999.

Me këtë rast, PDK-ja shkon në zgjedhje të brendshme për ta shpallur kryetarin e ri të Partisë.

Në garën për kreun e PDK-së deri më tash nuk ka qarkulluar ndonjë emër tjetër përveç atij të kryetarit të Kuvendit, njëherësh nënkryetarit të parë të PDK-së, Kadri Veseli./Zëri