Kusari-Lila: Nëse nuk gjejmë konsensus për dialog, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pas takimit me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se partitë shqiptare duhet të gjejnë një konsensus për dialog.

Lajme

11/10/2018 13:21

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, pas takimit me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, ku u diskutua për harmonizimin e ideve për rezolutën për dialogun me Serbinë, ka thënë se, është e domosdoshme që të ndërtohet një konsensus.

“Pa filluar bisedimet është e pamundur të arrihet diçka në procesin e dialogut. Pavarësisht pozicionit pozitë-opozitë, Kosova duhet të ketë konsensus”, ka thënë Kusari duke shtuar se nëse nuk arrihet një konsensus mes partive shqiptare, atëherë vendi duhet te shkojë në zgjedhje.

“Alternativa e konsideron të domosdoshëm konsensusin mes partive shqiptare. Nëse kjo nuk arrihet atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, ka shtuar ajo, raporton lajmi.net

“Është kryeministri ai që është larguar nga marrja e kryesimit të dialogut me Serbinë të cilën ia ka lënë me dëshirë presidenti të vendit Hashim Thaçit”, deklaroi Kusari-Lila.

Sipas saj, nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli, kanë kërkuar që të gjendet një bashkëpunim edhe me LDK-në e “Vetëvendosjen”.

“Kemi kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të gjejë formën e bashkëpunimit edhe me dy partitë e tjera LDK-në dhe Vetëvendosjen”, ka thënë Kusari.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ftesë të njëjtë iu kishte dërguar edhe LDK-së e “Vetëvendosjes”, por që të këto subjekte politike e kanë refuzuar një ftesë të tillë dhe nuk kanë marrë pjesë në këtë takim. /Lajmi.net/