Kusari-Lila, e pakënaqur me vendimin e gjykatës për rastin e tentim-atentatit ndaj saj

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, ka theksuar se gjykimi ndaj të dyshuarit që ka urdhëruar vrasjen e saj është mungesë e seriozitetit dhe se ka ngecje.

Lajme

20/12/2017 22:30

Kusari-Lila në emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini, ka thënë se ajo po flet kështu për vendimet e Gjykatës Themelore, duke shtuar se ka një mos përpjekje të institucioneve që të sjellin dy dëshmitarë të rastit nga Shqipëria në Gjakovë.

“Si mundet që një aktakuzë e cila është ngritur nga informacionet e dhëna nga një shtetas i Shqipërisë Gramoz Nokshiqi, që në bashkëpunim me një shtetas tjetër janë dakorduar për vrasjen e dy personave Pren Radit dhe kryetares aso kohe”, ka Kusari – Lila.

Sipas saj, gjatë procesit gjyqësor është vërejtur mungesa e informacionit të saktë, ku njëri prej dëshmitarëve, kryesori që ka lajmëruar dhe e ka pasur këtë informacion,  nuk është sjellë në Kosovë, përcjell Telegrafi.

“Pas dy viteve mbyllet rasti dhe Mikel Çupi lirohet nga të gjitha aktakuzat. Një muaj pas informacionit të marrë, për vrasjen potenciale time, unë e vizitova zonën e vendit në rajonin e Hasit, në fshatin Bishtazhin, ku personi në fjalë ka reaguar si me pa fantazmën. Pasi e kam marrë informacion, pasi Policia ka qenë duke i mbledhë faktet, kam vendosë me taku, se çfarë mund të jetë arsyeja për këtë veprim. Kur kam shkuar me taku është ngritë në takim dhe gjunjët e tij kanë filluar të dridhen. Pas arrestimit dhe ballafaqimit në gjykatë, ai gjithmonë ka argumentuar se janë shpifje”, ka shtuar Kusari-Lila.