Kusari hedh poshtë idenë e Pacollit: Nuk është kurrfarë zgjidhje Qeveria gjithëpërfshirëse

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës ka hedh poshtë idenë e Behgjet Pacollit për një qeveri gjithëpërfshirëse. Presidenti i AKR’së ditë më parë propozoi organizimin e një tryeze mes liderëve të partive politike për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me afat 1-vjeçar, ku kryeministër sipas tij, do duhej të ishte njëri prej Albin Kurtit, Ramush Haradinajt apo Avdullah Hotit. Ideja e Pacollit përfshin vendosjen e një plani të veprimit një vjeçar të punës së qeverisë gjithëpërfshirëse. Në këtë plan, Pacolli nuk e kishte përmendur lideren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lilën.

Lajme

17/07/2017 23:20

Kjo e fundit ka reaguar. Por, jo për mos përfshirjen e AKR’së në këtë propozim të Pacollit, por për të kundërshtuar një ide të tillë.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Kusari-Lila ka numëruar arsyet, për shkak të të cilave sipas saj, një qeveri gjithëpërfshirëse nuk do të ishte zgjidhja e duhur për vendin.

“Qeverisja gjithëpërfshirëse e propozuar së fundmi, nuk është zgjidhje e problemit. Do të përfundonim me të njejtin numër të Ministrive (mos më shumë) se etja për pushtet ka dehur disa ende pa e marrë pushtetin. Gjithashtu, përvoja e fundit me dy parti të mëdha në Qeverisje tregoi se nuk mund të qeverisin ata që duan të tërheqin qeverisjen vetëm në drejtim të interesave të subjektit të vet. Mbetet programi në gjysëm, ashtu sikur edhe mbeti. Duhet konsensus dhe resekt për partnerët qeverisës, e ky respekt vështirë se arrihet me gjithëpërfëshirje në Kosovë. Nuk e kemi ne ende këtë kulturë politike ose qeverisëse”, shkruan Kusari-Lila në Facebook:.

Shkrimi i plotë i Kusari-Lilës në Facebook:

Alternativat e Kosovës

Hapi i parë për zgjidhjen e një problemi, është identifikimi i saktë i atij problemi. Në Kosovë kemi problem serioz dhe hapi i parë për të zgjidhur atë, është të pranojmë se e kemi atë problem.

Problemi në sipërfaqe i cili tashmë po identifikohet mjaft qartë, është mos mundësia e krijimit të Qeverisë nga koalicioni i cili doli i pari në këto zgjedhje, koalicioni PAN. Ndërsa, problemi në substancë, nuk janë parimet apo programi qeverisës, as vendimet me peshë që e presin Kosovën.

Për koalicionin fitues problem në substancë janë: pasiguria e votave për kreun e PDK-së për Kryetar të Kuvendit, Kadri Veselin dhe mos mundësia e sigurimit të numrave për Qeverinë në krye me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në esencë në Kosovë, nuk kemi konstituim të Kuvendit, pasi nuk i kemi të sigurta postet për dy krerë të partive politike nga PAN-i.

Fatkeqësisht, për të treten herë me radhë, pas 2010-tes, 2014-tes dhe prapë në 2017-ten, Kosova hyn në cikle zgjedhore të jashtëzakoshme pasi individë të caktuar humbin postet apo synojnë poste tjera në krye të shtetit.

Nuk janë problemet politike, as korrupsioni dhe as mungesa e zhvillimit ekonomik të Kosovës që shtyen Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme për të treten herë.

Ironikisht, nuk është as demarkacioni aryeja e vërtetë e zgjedhjeve të 11 Qershorit. Është insistimi për ripozicionime në pozita udhëheqëse institucionale të individëve të caktuar. Skenar ky që pa përjashtime apo dallime përsëritet në Kosovë në vazhdimësi.

Ja ku jemi edhe një herë, Kosova si shteti më i izoluar në Ballkan, po humb shanse pas shansi për t’u zhvilluar si vend normal.

Përveq se nuk arritëm të përmbushim obigimet e shtetit për barazi me shtetet e rajonit, së fundmi, në Triestë u përmbyll takimi i vendeve të Ballkanit dhe projektet për Kosovën as që u përmenden. Në Kosovë nuk u hap asnjë debat për këtë takim. Të vetmet deklarata që u ndëgjuan, janë disa kundërshtime për unionin e përbashët ekonomik të cilat u thanë të pa analizuara. Në fakt as deklarata e përbashkët e Triestës nuk u analizua.

Në Triestë u përmend edhe buxheti i ndarë për projektet rajonale, Kosova nuk është e përfshirë me projekte konkrete aty.

Vetëm në njerin nga nëntë sektorët, tek sektori privat nga Bashkimi Evropian do të kanalizohen 48 milion Euro fonde projekte të NVM-ve.

Me mungesën e diskutimit për këo tema në Kosovë, fitohet përshtypja se ne nuk kemi nevojë për asistencë nga jashtë, ne kemi nevojë për pushtet brenda Kosovës.

Me këtë situatë të krijuar, ne shumë lehtë mund të ballafaqohemi me zgjedhje të reja parlamentare, të cilat përndryshe do të ishin të pëlqyeshme nga shumica, nëse nuk do të ishte frika se subjekti i parë në Kosovë, Vetëvendosje, do të rritej ende më shumë nga zgjedhet tjera.

Situata e krijuar kërkon zgjidhje të shpejtë dhe program të detajuar qeverisës. Kërkon Qeveri parimore me dikasterë të reduktuar dhe ministra profesionalë.

Qeverisja gjithëpërfshirëse e propozuar së fundmi, nuk është zgjidhje e problemit. Do të përfundonim me të njejtin numër të Ministrive (mos më shumë) se etja për pushtet ka dehur disa ende pa e marrë pushtetin.

Gjithashtu, përvoja e fundit me dy parti të mëdha në Qeverisje tregoi se nuk mund të qeverisin ata që duan të tërheqin qeverisjen vetëm në drejtim të interesave të subjektit të vet. Mbetet programi në gjysëm, ashtu sikur edhe mbeti. Duhet konsensus dhe resekt për partnerët qeverisës, e ky respekt vështirë se arrihet me gjithëpërfshirje në Kosovë. Nuk e kemi ne ende këtë kulturë politike ose qeverisëse.

Në anën tjetër, absurdi më i madh i mbledhjes së numrave për qeverisje të PAN-it, është të pritet se mund të ketë Qeveri kredibile e cila e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin ndërsa vetë mbledhja e votave për të votuar Qeverinë përfshin konsenzuse nga më të ulëtat.

Temë tjetër e cila nuk e ka trajtimin serioz është edhe veprimtaria e Gjykatës Speciale.

Absurdi më i madh është të pritet të pastrohet skena politike e Kosovës nga Gjykata Speciale, e cila mandatin e vet e ka të hetojë krimet e luftës.

Kosovës sot nuk do t’ia zgjidhë problemin gjykata speciale. Në të kundërten, gjykata do ta rëndojë dhe do ta lëndojë Kosovën.

Kosovës, problemet ia zgjidhë një gjyqësor vendor kredibil dhe i pavarur dhe një gjykatë e veçantë e cila do ta hetoj krimin e organizuar dhe korrupsionin e pas luftës. Aty është esenca e problemeve të Kosovës, nuk është në krimet e luftës që do të hetohen nga Gjykata speciale e cila do të bazohet në një raport të publikuar vite më parë.

Kosovës sot, nuk ia zgjidh problemet asnjë institucion ndërkombëtar. Sot Kosovës, problemin ia shkaktojnë por edhe duhet t’ia zgjidhin, vetë Kosovarët.

Po, kemi problem të madh. Por edhe zgjidhjen e kemi ne dhe askush tjetër që mban pasaportë të huaj diplomatike në Kosovë. Lidershipi dhe guximi i proklamuar duhet të shihet tani. Ai guxim nuk kërkon ndonjë heroizëm të veçantë, ai guxim varet se a pranojnë dy persona në Kosovë të mos marrin pozitat që i aspirojnë?! Kur t’i përgjigjemi kësaj pyetje, mund të vazhdojmë me elaborimin e alternativave tjera.