Kusari e Deda në Bujanovc: Lugina e Preshevës të jetë pjesë e bisedimeve

Dy deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila, janë takuar sot me kryetarin e komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberin, me të cilin kanë diskutuar rreth përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lajme

12/09/2018 15:35

“U zotuam që do ta shtyjmë përpara parimin e reciprocitetit dhe që në kuadër të këtij parimi çështja e komunave Bujanovc, Medvegjë dhe Preshevë të jetë pjesë integrale e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u dakorduam që të intensifikojmë komunikimin mes nesh”, ka shkruar Deda në profilin e tij në facebook.

Sipas tyre Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si një tërësi dhe jo në mënyrë të ndarë. Kjo çështje është përmendur më parë edhe nga krerët e Luginës së Preshevës të cilët kanë thënë se në rast të bashkimit me Kosovën, të gjitha komunat me shumicë shqiptare duhet të bashkohen si tërësi.

“Sot, si delegacion i Alternativës, me Mimoza Kusari dhe Alfred Halili qëndruam në Bujanovc. Në takim shumë miqësor me z. Shaip Kamberi, Kryetar i Bujanovcit, znj. Ardita Sinani, nënkryetare e Partisë së Veprimit Demokratik, dhe z. Fatmir Hasani deputet në Kuvendin e Serbisë – përkrahëm qëndrimin që Lugina e Preshevës të trajtohet si tërësi, dhe jo në mënyrë parciale”, vazhdon reagimi i Dedës.

Në takim është biseduar edhe rreth situatës aktuale politike në vend.

Kujtojmë se krerët e Luginës së Preshevës para pak dite qëndruan në Kosovë, ku kanë propozuar një rezolutë përmes të cilës Kuvendi i Republikës së Kosovës përkrahë bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.