Kurti viziton të lënduarit në QKUK

Kreu i VV-së, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga shpërthimi në TC “Kosova A”, ndërsa ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit. 

Lajme

06/06/2014 17:47

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar sot punëtorët e lënduar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Pas vizitës, Kurti ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga shpërthimi që ndodhi sot në Termocentralin “Kosova A”, ndërsa ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

“Së pari ne ju shprehim edhe njëherë ngushëllime familjeve të punëtorëve të vdekur, ndonëse nuk ka ende informacione zyrtare se sa të vdekur janë. Thuhet se janë tre apo katër, por nuk ka ende asgjë zyrtare dhe të saktë”.

“Ne solidarizohemi dhe shprehim mbështetjen tonë për të gjithë punëtorët e lënduar dhe ju urojmë atyre shërim sa më të mirë e sa më të shpejtë. Vetë faktin se ata janë liruar nga spitali tregon që nuk bëhet fjalë për lëndime të rënda”.

“Kjo ngjarje tragjike e sotme është e rëndë jo vetëm për punëtorët e KEK-ut dhe familjet e tyre, por për të gjithë qytetarët dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Kurti.