Kurti uron amerikanët për 242 vjetorin e pavarësisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një urimi të shkurtë në Faceboook, ka thënë se SHBA-të u themeluan si shumë shtete asokohe si entitete sovrane mbi territor të caktuar.

Lajme

04/07/2018 20:00

“Risia që solli pavarësimi i ShBA-ve ishte mbështetja e këtij shteti të ri në disa vlera që ishin përparimtare në atë kohë, e mbeten përparimtare edhe sot e kësaj dite.

Këto vlera i gjejmë në dokumentet themelore, e ndër to është edhe barazia e të drejtat e njeriut. Në Deklaratën e Pavarësisë së ShBA shkruhet: ‘Ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, ata janë pajisur prej krijuesit me disa të drejta të patjetërsueshme, mes tyre është jeta, liria, dhe përpjekja për lumturi’”, ka shkruar ai.

Sipas tij, bindje të tilla kanë frymëzuar dhe vazhdojnë të jenë model për popuj e individë anembanë globit, e edhe për shqiptarët.

“Posaçërisht me 2 mars 1444 në Lezhë, 10 qershor 1878 në Prizren e me 28 nëntor 1912 në Vlorë. Vetë çlirimi i Kosovës është pikërisht akti që pohon dëshirën e shqiptarëve për barazi, për të drejtën e jetës, lirisë, dhe përpjekjes për të ndërtuar një mirëqenie kolektive e personale, me lumturi e begati për të gjithë dhe secilin.

Në këtë ditë të pavarësisë e urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë, partnerët dhe aleatët e rëndësishëm të Kosovës në rrugën drejt pavarësimit dhe demokratizimit. Urime 4 korrikun!”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/