Kurti thotë se vetëm prokuroria nuk i ‘njeh’ hajnat e mëdhenj

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se papunësia dhe korrupsioni vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë.

Lajme

07/01/2019 11:13

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se qytetarët vazhdojnë të shfaqin brengën e tyre për papunësinë dhe korrupsionin në çdo anketë, shkruan lajmi.net.

Sipas Kurirti ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë.

Ai po ashtu ka thënë se kjo gjendje është për shkak të nepotizmit dhe se sipas tij, vetëm prokuroria është ajo që nuk po i “sheh” dhe nuk është në “dijeni” për hajnat e mëdhenj.

Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:

Sipas Raportit të Iniciativës Kosovare për Stabilitet “Fakte 2018”, 73% e të moshuarve varen nga mbështetja familjare për të mbuluar nevojat e tyre elementare, kurse 91% e të moshuarve të anketuar kanë deklaruar se blejnë barna të listës esenciale. Vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, krahasuar me 46,6% të burrave. Pensionin bazë (shtylla e parë) e marrin gati dyfish më shumë gra sesa burra (81 mijë kundrejt 41 mijë), ndërkaq pensionin kontributdhënës (shtylla e dytë) e marrin mbi gjashtë herë më shumë burra sesa gra (sipër 37 mijë kundrejt 6 mijë). Pra, gati trefish më shumë qytetarë e marrin pensionin bazë krahasuar me atë kontributdhënës. Ekonomikisht, shoqëria jonë është përtokë. Gratë edhe nën tokë.

Jo rastësisht dy brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës sipas çdo ankete janë papunësia e korrupsioni. Vjedhja lart e varfëria poshtë janë të ndërlidhura. Punësimi i paktë: me të njofshëm. Ndërkaq, hajnat e mëdhenj, po ashtu: të njofshëm! E vetmja prokuroria nuk është në ‘dijeni’ e s’i ‘njeh’ ata. /Lajmi.net/