Kurti thotë se gjendja e rëndë ekonomike po i shtyen qytetarët të blejnë mish të prishur

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po mbahet debat parlamentar lidhur me skandalin e mishit të prishur të importuar nga Belgjika për në Kosovë, ka thënë që problemi më i madh qëndron në faktin që qytetarët e Kosovës po përballen me vështirësi ekonomike dhe rrjedhimisht blejnë mish me çmim më të lirë dhe cilësi më të keqe.

Lajme

18/04/2018 18:18

“Ajo që duhet të theksohet është fakti që gjendja e vështirë e popullsisë tona nuk vije vetëm nga mungesa e kritereve e mekanizmave shtetërorë, mirëpo vjen edhe nga varfëria”, theksoi Kurti.

“Rrjedhimisht besoj që gjërat nuk kryhen me polici e gjykata, por duhet të adresohet edhe problemi i varfërisë së thellë në popullsinë e kosovës”, shtoi Kurti, raporton lajmi.net.

Kurti po ashtu tha se skandali me mishin e prishur të importuar nga Belgjika duhet të shikohet dhe nga pikëpamja e drejtësisë sociale, pikëpamje kjo që sipas tij do të adresojë papunësinë dhe problemet tjera të qytetarëve të Kosovës./Lajmi.net/