Kurti takon Selimin, lirimin e tij nga burgu e krahason me situatën në Kosovë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar sot Sylejman Selimin.

Lajme

28/01/2019 13:52

Sylejman Selimi i cili u lirua me kusht nga burgu të premten që lamë pas, sot është vizituar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti lirimin e Selimit e ka krahasuar me situatën aktuale të Kosovës.

Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:

Në vendlindjen e tij në Açarevë, sot vizitova Gjeneral lejtnant Sylejman Selimin.

Ai është liruar me kusht nga burgu.

Kjo disi i ngjan aq shumë gjendjes së vetë shtetit të Kosovës.

Por, Syla është mirë me shëndet dhe fytyra i shkëlqente.

Nga Komandant i Zonës Operative të Drenicës te Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së te Komandant i TMK-së e i FSK-së e deri te ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë, kanë kaluar 20 vjet prej se e njoh dhe jemi shokë.

Por, veprimtaria e tij është edhe më e hershme: ajo nis me Sylën si bashkëluftëtar i Komandantit legjendar Adem Jashari. /Lajmi.net/