Kurti: Shqipëria të anëtarësohet në BE, para Serbisë

Kosova dhe Shqipëria duhet ti ndihmojnë njëra tjetrës për anëtarësim në BE, ka thënë Albin Kurti. Ai tha se Shqipëria duhet të anëtarësohet para Serbisë dhe për këtë duhet ta ndihmojë edhe Kosova.

Lajme

28/06/2014 13:06

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti duke uruar Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, tha se Shqipëria duhet ta bëjë një gjë të tillë para Serbisë.

E për të ndodhë një gjë e tillë sipas Kurtit, Kosova, nuk duhet ta lejojë Serbinë që të anëtarësohet në BE, para Shqipërisë, raporton KosovaPress.

Kurti i cili ishte i ftuar në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetin përmbyllës të Javës dhe Kulturës Çame, ka folur për krijimin e shtetit të fuqishëm shqiptar për të larguar në këtë mënyrë orekset e shteteve shoviniste ndaj Shqipërisë.

“Të gjithë u gëzuam që Shqipëria e fitoi statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria duhet ta ndihmojë Kosovën në integrimet evropiane mirëpo edhe Kosova duhet ta ndihmojë Shqipërinë, për tu bërë anëtare e plotë në Bashkimin Europian”.

“Ndihma që Kosova t’i jap Shqipërisë është që të mos lejojë që Serbia të bëhet anëtare e BE para Shqipërisë. Ju e dini që Greqia e kushtëzon Maqedoninë, por kushtet që Greqia ja vendosë Maqedonisë nuk krahasohen me kushtet që Serbia do i vendosë Shqipërisë dhe Kosovës nëse anëtarësohet para nesh në BE”.

“Shqiptarët janë gjuhë shqipe, ndërsa grekët dhe serbët janë shtete ekspansioniste, dhe kjo nuk ka ndryshuar për 170 vjet, e nuk do të ndryshojë vetvetiu, deri sa shqiptarët të ngrihen e të krijojnë shtete të fuqishme, duke zmbrapsur orekset e shteteve shoviniste serbe e greke. Ndaj neve na takon që Çamërinë ta trajtojmë siç është dhe siç duhet të jetë gjithmonë pjesë e çështjes tonë kombëtare. Çështja çame është pjesë e tërësisë dhe ka nevojë për vëmendjen e të gjithë neve, pavarësisht prej nga vijmë në trojet tona në Ballkan”, tha Kurti.

(KosovaPress)