Kurti shpreson në një vit më të mirë për Kosovën

Qeveria ka shumë numra, por është e dobët. Ndërkaq, opozita i ka të pamjaftueshëm numrat por është e fuqishme, tha ndër tjerash lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për Radio Kosovën.

Lajme

29/12/2014 17:45

Sipas Kurtit, “përderisa kishim krizë institucionale, kishim shpresë për qytetarët, kur u zgjidh ajo, atëherë u rrit emigrimi ilegal i qytetarëve, të cilët mbetën pa shpresë se në të ardhme të afërt do të krijohen kushte për progres ne Kosovë”.

“Besoj që, po të formoheshin institucionet nga shumica parlamentare (LVAN) nuk do ta kishim këtë eksod dhe do të krijoheshin kushtet për një kurs të ri të shtetit, ku do të theksohej zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit”, vijoi ai në intervistë.

Për sa i përket qeverisë së zgjedhur të koalicionit, kreu I VV-së, tha se “qeveria ka shumë numra, por është e dobët. Ndërkaq, opozita i ka të pamjaftueshëm numrat, por është e fuqishme”.

Kurti më tutje vlerësoi se grupi parlamentar i Vetëvendosjes “është grupi i deputetëve më të përgatitur në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. “Ne jemi të hapur dhe të interesuar që edhe deputetë tjerë opozitarë, edhe të pakënaqurit e PDK-së dhe LDK-së të bëhen bashkë me neve në iniciativat e ndryshme, në mënyrë që sa më parë t’ia shkurtojmë jetën kësaj Qeverie. Jam optimist se do t’i mbledhim 40 nënshkrime për komisione hetimore parlamentare apo seanca të jashtëzakonshme për të ngritur tema të cilat nuk i ngrit dot Qeveria. Po ashtu, jam optimist se do të mund ta pengojmë numrin prej 80 deputetëve të tyre, për t’i bërë ndryshimet kushtetuese për të keq, çfarë tanimë ata e kanë paraqitur si synim të tyre”.

Ndërkaq, në pyetjen rreth themelimit të Gjykatës special, ai tha se “Gjykata Speciale për UÇK-në do ta kriminalizojë Kosovën në sytë e opinionit ndërkombëtar, kurse dialogu pa kushte me Serbinë do ta bosnjëzojë Kosovën”.

Kurti vitin 2014 e karakterizoi si vit të gabimeve të shumta, kurse për vitin 2015 tha se është optimist se në Kosovë nuk ka më njerëz te mashtruar sa i përket partive politike. “Skena politike është qartësuar dhe këto afera e skandale të vitit 2014 tash duken më qartë në dritën e diellit si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Kjo më bën mua të besoj që Vetëvendosje si opozitë kryesore do të lidhet ngushtë e bashkë me qytetarët, do të veprojë brenda Kuvendit dhe jashtë tij, në mënyrë që kjo Qeveri e dy partive në rënie të bie bashkë me ato dy parti dhe për Kosovën viti 2015 të jetë një vit ku edhe kthehet shpresa edhe nis puna e ndershme”.