Kurti: Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE

Kryetari dhe deputeti  i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në Ditën e Evropës, 9 majin ka thënë se paqja antifashiste është themeli i Evropës së Bashkuar.

Lajme

09/05/2018 10:52

 

Kurti në një postim ën facebook ka folur edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimorë, duke thënë se shtetet e BE-së që janë kundër kësaj, janë në kundërthënie me veten.

Deputeti Kurti duke folur për Samitin e Sofijes që pritet të mbahet javën e ardhshme, është shprehur se Kosova duhet të mbështetet për integrim në BE, përcjell lajmi.net.

Kreu i VV-së, ka thënë se në këtë samit Kosova duhet tu tregojë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë.

“Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE, kurse Kosova duhet t’i japë prioritet demokracisë e punësimit dhe luftimit të krimit e korrupsionit me rezultate konkrete. Në Samitin e Sofjes, Kosova duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë. Dhe, Kosova nuk bën të shihet vetëm nga prizmi i dialogut Beograd-Prishtinë”, ka shkruar Kurti në facebook.

Postimi i plotë i Kurtit:

Dita e Evropës

68 vjet më parë, ministri i jashtëm i Francës, Robert Schuman, në fjalimin e tij që do të bëhet i famshëm si Deklarata Schuman tha se “Evropa nuk do të bëhet e tërë përnjëherë, as sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes të arriturave konkrete të cilat fillimisht krijojnë një de facto solidaritet.” Ende pa u bërë dy vjet, u pat nënshkruar Traktati i Parisit që formoi Komunitetin Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut. Asisoj, industria e luftës do të pamundësohej në truallin e Evropës së dërrmuar nga dy luftërat botërore. Pra, në zanafillën e tij Bashkimi Evropian i sotëm është ekonomi për paqe.

Por, jo çfarëdo paqe. 9 maji i vitit 1950 nuk u përzgjodh rastësisht. Atëbotë po shënohej pesëvjetori i ngadhënjimit mbi nazizmin dhe fashizmin. Paqja në Evropë është paqe antifashiste dhe nëpërmjet antifashizmit. Në kontrast me Marrëveshjen e München-it të 29 e 30 shtatorit 1938, kur u nënshkrua paqja me Hitlerin të cilit iu lejua aneksimi i territoreve të Çekosllovakisë. Ish kryeministri britanik Neville Chamberlaine tha se kjo marrëveshje ishte ‘paqe për kohën tonë’. Ajo kohë sikurse edhe e Chamberlaine-it në krye të qeverisë nuk zgjati shumë. Paqja me fashizmin solli Luftën e Dytë Botërore dhe ndarjen e Evropës. Paqja antifashiste është themeli i Evropës së Bashkuar.

Pas një jave fillon Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje të Bullgarisë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet fqinjësore janë esenciale për ardhmërinë. Greqia së fundmi ka treguar vullnet për marrëdhënie më të mira në Ballkan gjatë vizitës së Presidentit Juncker. Shqipëria është përplot shpresë të arsyeshme që do t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në qershor të këtij viti. Italia ka luajtur rol të fuqishëm për Shqipërinë dhe gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Presidentja e Senatit Casellati, shprehu interesim të ripërtërirë për vendin tonë. Samiti i Sofjes duhet ta mbështesë Kosovën pa dilema për integrim në BE, kurse Kosova duhet t’i japë prioritet demokracisë e punësimit dhe luftimit të krimit e korrupsionit me rezultate konkrete.

Në Samitin e Sofjes, Kosova duhet t’ua bëjë të qartë partnerëve evropianë për të gjitha obstruksionet e Serbisë. Dhe, Kosova nuk bën të shihet vetëm nga prizmi i dialogut Beograd-Prishtinë. Në Ballkan nuk ka as Schuman as Adenauer. Por, Kosova ka mbështetje ndërkombëtare dhe ajo duhet ta mirëpërdorë atë. Shtetet anëtare të BE-së që nuk duan që BE-ja të hapet ndaj Ballkanit janë në kundërthënie me vetveten. Ballkani është Evropë. Prandaj, nuk është çështje zgjerimi por thellimi i njohjes dhe bashkëpunimit. Zgjerimi tashmë është bërë nga historia. Qeveritë dhe liderët janë aty vetëm për t’i bërë shoqëri historisë./Lajmi.net/