Kurti reagon për sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad.
Lajme
Kurti ka hedhur akuza ndaj pushtetit të Kosovës për gjithë këtë ngjarje, duke thënë se janë fajtorë për gjendjen e shkaktuar pasi sipas tij kanë rehabilituar jo vetëm Serbinë e cila nuk na njeh, por edhe politikanët e linjës çetnike, si Aleksandar Vuçiq e Ivica Daçiqi.
“Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës nuk e ndërtuan ekonominë, që rinia të mos ikë në kurbet e të nxjerrë bukën e gojës duke u përballur me ksenofobinë e racizmin”, ka shkruar Kurti, përcjell lajmi.net
Ky është psotimi i plotë:
Ndërkohë që po lexoja raportin e Parlamentit Europian mbi vendet aspirante për integrim në BE, dhe shihja se si disa eurodeputetë kishin shtuar amendamente ku e kishin lavdëruar Serbinë për avancime në trajtimin e minoriteteve, mora një lajm trishtues. Dy shqiptarë, 19 vjeçarë, ishin rrahur keq në Novi Sad, vetëm pse i kishin dëgjuar të flisnin shqip me njëri-tjetrin. Dy punëtorë të furrave të bukës, nga Hasi i Kosovës, janë sulmuar barbarisht nga një grup serbësh. Njëri prej tyre, Çlirim Maloku, është në gjendje të rëndë, për jetë a vdekje, me eshtrat e kokës të thyera, me gjakrrjedhje në tru.
Mendoja e uroja me gjithë zemër që Çlirimi ta fitojë luftën me vdekjen e të jetojë. Çlirimi i cili i ka aq vjet sa edhe çlirimi i Kosovës.
Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës nuk e ndërtuan ekonominë, që rinia të mos ikë në kurbet e të nxjerrë bukën e gojës duke u përballur me ksenofobinë e racizmin.
Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës ia vodhën dinjitetin çlirimit. E shpërdorën atë për vjedhjen e pasurisë së përbashkët, uzurpimin e pronave publike dhe shkatërrimin e ekonomisë sonë e cila u bë private dhe e tyre.
Për 19 vite me radhë pushtetarët e Kosovës nuk ndërtuan një marrëdhënie partneriteti me politikanët e diplomatët ndërkombëtarë e evropianë, por një marrëdhënie servilizmi e oportunizmi, përuljeje, pa integritet. Andaj sot, kur shqiptarët në Serbi rrihen për vdekje veç pse flasin shqip, eurodeputetët lavdërojnë Serbinë për trajtimin e minoriteteve. Ndërkohë që Kosova e cila i ka dhënë minoriteteve të drejta që nuk i kanë në asnjë vend të Evropës, përfshi dhe të drejtën e vetos, mbetet e izoluar dhe e përbuzur.
Për 19 vite me radhë, pushtetarët e Kosovës, përmes negociatave pa parime, përmes lëshimeve pa hesap, përmes mbulimit të së vërtetës, e kanë rehabilituar jo vetëm Serbinë e cila nuk na njeh, por edhe politikanët e linjës çetnike, si Vuçiqi e Daçiqi. Këta të fundit fillimisht u bënë partnerë të preferuar të Prishtinës, e vetëm pas kësaj të Brukselit.
Megjithatë, mbijeto Çlirim. Bëhuni të fortë, familjarë të Çlirimit. Bëhuni të fortë kosovarë. Kemi mbetur pa bukë e pa dinjitet, pa ekonomi e pa ushtri, por Çlirimin nuk mund ta braktisim. Çlirimi është pikënisja e vetme. Mbahu Çlirim, me 19 vitet e rinisë e fuqisë tënde. Jeto, për të gjithë ne.