Kurti ngushëllon familjen Trena: I gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim për këtë fatkeqësi

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas gjetjes së trupit të pajetë në lumin Lepenc të policit Armend Trena.

Lajme

07/05/2018 18:48

Përmes një postimi në Facebook, Kurti shkruan se i gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim të thellë për këtë fatkeqësi.

Ky është postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

“Edhe pse shumë shpresuam që të gjendeshin të gjallë, 9 ditë pas zhdukjes së tyre u gjet edhe trupi i pajetë i policit Armend Trena, 4 ditë pasi u gjet trupi i kolegut të tij Malsor Dashit.

I gjithë populli ndjen dhimbje e pikëllim për këtë fatkeqësi. Në solidaritet të plotë me familjet Trena e Dashi, shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për humbjen e dy policëve të Republikës sonë.

Qeveria e Kosovës duhet të vetëdijësohet nga raste të tilla e t’i pajisë policët me sigurim jetësor. Për shkak të natyrës së profesionit, policët përballen me rrezikshmëri të lartë, prandaj secili prej tyre duhet të ketë sigurim jetësor. Po ashtu, familjarët e secilit polic që humb jetën në detyrë, duhet të marrin një status të veçantë, që t’ua sigurojë përkrahjen ekonomike bashkëshortëve, si dhe fëmijëve të tyre deri sa të arrijnë moshën madhore.”/Lajmi.net/