Kurti: Në vend që të kemi gjykata që dënojnë kriminelët e paqes, kemi Speciale që merret me krimet e luftës

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar pas ftesave të para të Gjykatës Speciale të dërguara në Kosovë.

Lajme

13/12/2018 11:53

Sipas Kurtit, në vend që të ketë gjykata normale që akuzojnë dhe gjykojnë kriminelët e paqes, ka gjykatë Speciale e cila merret me krimet e luftës, raporton lajmi.net.

Siç thotë ai, duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar dhe të rishikohet legjislacioni në fuqi.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Ndodhemi në javën kundër korrupsionit të një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër. Dhe, në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës. Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.”

Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve. Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata! /Lajmi.net/