Kurti: Në qeverisjen tonë, bizneset do ta kenë shtetin një ndër partnerët kryesorë

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se qeveria e Vetëvendosjes do të përkrah bizneset vendore.

Lajme

29/05/2017 16:03

 

Ai në facebook ka shkruar se këto biznese gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes shtetin do ta kenë si partnerë kryesorë, transmeton lajmi.net

“Para disa ditësh e patëm një vizitë mes luleve. Një biznes i mesëm që do të mund të zbukuronte hapësirat publike, por edhe zyrat e administratës, e megjithatë deri më sot nuk ka partneritet me shtetin. Nën qeverisjen tonë bizneset vendore shtetin do ta kenë një ndër partnerët kryesorë”, ka shkruar në facebook Kurti.

“Kërkesa e vetme që ka ky biznes, është për kuadro të specializuar. Por në Kosovë ka dështuar sistemi i arsimit. Konceptimi strategjik i arsimit që do të prodhojë kuadro për ekonominë, do të bëjë të mundur lulëzimin e potencialit të të rejave e të rinjve të sapodiplomuar, njëjtë sikur lulet e lulishteve Agrocoop”, tha ish-lideri i VV-së.

Fushata zyrtarisht për zgjedhjet e 11 qershorit do të fillojë më 31 maj. /Lajmi.net/