Kurti në Istog, i bindur për fitore

Albin Kurti shprehët i bindur se subjekti i tij do të del fitues në zgjedhjet parlamentare. Përmendi përfitimet që qytetarët do t’i kenë në rast se, sipas tij, fiton VV. 

Lajme

05/06/2014 15:25

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përsëritur bindjen e tij për fitore në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Në një tubim elektoral në Burim (Istog), Kurti edhe kësaj radhe nuk la pa kritikuar dy partitë e mëdha, PDK-në dhe LDK-në.

Ai tha se me qeverisjen e VV-së, do të largohet sundimi dhe zullumi, për t’u zëvendësuar me shërbim të qytetarëve.

“Pas fitores së 8 qershorit, qeverisja e re nuk do të jetë sundim e zullum, por do të jetë shërbim, nuk do të jetë mbi qytetarin, por bashkë me qytetarin”.

“PDK-ja është problemi, PDK-ja është korrupsioni, PDK-ja po humb, por LDK-ja nuk është zgjidhja, LDK-ja është e lodhur, dhe duhet të dalë në pension”, ka thënë Kurti, duke shtuar se pensionet e Vetëvendosjes do t\’i leverdisin atyre që dalin në pension, sepse parasheh rritje të tyre.

Kurti shtoi se me qeverisjen e re, pensionet do të jenë të dinjitetshme, arsimi do të jetë falas, punësimi i sigurtë e po ashtu shëndetësia falas.

“Të gjithë më 8 qershor jemi të barabartë, sistemi më 8 qershor hapet për popullin e populli duhet të marshojë drejt qendrave të votimit që të sigurojë fitoren e vet përmes fitores së Lëvizjes Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

Kurse deputeti i legjislaturës së fundit, Florin Krasniqi tha se VV do ta luftojë korrupsionin e krimin.

“Ne jemi bërë të parët, sepse jemi të drejtë, e kemi guximin dhe e kemi organizatën politike të Lëvizjes Vetëvendosje që ta ndryshojmë vendin me qeverisjen e re të Albin Kurtit”.