Kurti: Nafta kurrë s’ka qenë më shtrenjtë që nga shpallja e pavarësisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me shtrenjtimin e çmimit të naftës dhe gjendjen e bujqve në Kosovë.

Lajme

04/11/2018 21:31

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, nafta asnjë herë nuk ka qenë më shtrenjtë, shkruan lajmi.net.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shprehur edhe shqetësimin e tij për bujqësinë e Kosovës dhe për bujqit.

Sipas Kuritit, kjo thatësi ka bërë që shumë bujqit të mos mund të mbjellin arat e tyre në këta muaj dhe se e gjithë kjo është për shkak të mungesës së investimeve të qeverisë në bujqësi, pasi që sipas tij, sistemi i ujitjesh përmes kanaleve tokësore do t’ju mundësonte bujqve që të mbjellin tokat e tyre, përcjell lajmi.net.

“Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:

Që prej shpalljes së pavarsisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrejtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë.

Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr.

Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari.