Kurti: Kryeministri ka kapitulluar, andaj po vjen tribunali

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës (Hashim Thaçi) po tregon që ka kapitulluar, dhe se prandaj tash po vjen tribunali.

Lajme

18/04/2014 15:13

Kurti ka thënë se kapitullimi që Thaçi e përjetoi në Bruksel gjatë negociatave me Ivica Daçiqin e Aleksadar Vuçiqin, po kurorëzohet me një tribunal kundër Kosovës.

“Sot jemi këtu që të kujtojmë dëshmorët e komunës së Prishtinës. Dëshmorët janë dëshmi e sakrificës dhe e vetëmohimit, kontributit e luftës, rezistencës e kryengritjes tonë dhe njëkohësisht këta janë edhe dëshmi që Serbia ishte agresore, okupatore, shtypëse, shfrytëzuese dhe prandaj, në Ballkan për të pasur paqe dhe drejtësi do të duhej të kishim një tribunal për Serbinë e kurrsesi për Kosovën”, ka thënë Kurti gjatë homazheve që ka bërë të premten në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.

“Tribunali i këtillë, të cilin po e mirëpret kryeministri, ndonëse po e din që është i padrejtë, në fakt është shtruar edhe nga deklaratat e tij se ai ka qenë larg fronteve të luftës. Me fjalë të tjera, ai tha se shokët e mi që kanë qenë në front të luftës merrni lirisht, ndërkaq unë isha shumë larg atyre”.

“Dhe, e fundit është që një tribunal i këtillë për Kosovën, apo gjykatë e veçantë siç po quhet, në fakt është ekstradim edhe i pavarësisë, edhe i luftës çlirimtare, është dorëzim jashtë vendit tonë i këtyre gjërave që janë aq themeltare e aq thelbësore, sa që na bëjnë ata që jemi”.

“Kryeministri i Kosovës po pajtohet me qëndrimet e Vetëvendosjes se ai e ka bishtin e zënë me derë. Ai po thotë se tribunal është i padrejtë, mirëpo duhet të votohet pikërisht sepse është i shantazhuar. Ky është konfirmim i shantazhit ndaj Kryeministrit”, ka thënë Kurti.