Kurti: Kosova ka nevojë për ushtri

Ne nuk kemi asgjë kundër serbëve por Serbia është kundër nesh, ka thënë kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lajme

27/06/2017 14:09

Këtë deklaratë ai e bëri në një intervistë për Blicin serb, ku foli për formimin e qeverisë së re të Kosovës, dialogun me Serbinë, si dhe formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Me këtë rast, ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një ushtri që të ruajë paqen.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një institucion që do të garantojë sigurinë, por edhe një partneritet me aleatët tanë – Shqipërinë, SHBA-të dhe integgrim në NATO”.

“Kosova ka nevojë për të ndërtuar ushtrinë e saj, në raport me popullsinë. Ne kemi rreth dy milionë njerëz, dhe sipas disa studimeve, është mirë që një për qind e popullsisë të jetë e përfaqësuar në fushën e sigurisë, dhe të mbrojtjes, që do të thotë se në radhët e policisë dhe ushtrisë të jenë rreth 18.000 deri në 20.000 anëtarë” tha ai, transmeton Klan Kosova.