Kurti: Koalicioni u krijua nga lakmia për pushtet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, thotë se koalicioni PDK-LDK u krijua për shkak të lakmisë për pushtet dhe frikës nga dosjet.

Lajme

15/12/2014 08:16

Në intervistën dhënë për Zëri, Kurti thotë se edhe ndërkombëtarët kanë pasur ndikimin e tyre në krijimin e këtij koalicioni qeverisës, por që kjo, sipas tij, është në plan të dytë.

“Mustafa iu bashkua Thaçit në lakminë për pushtet dhe në frikën nga burgu. Pra, lakmia për pushtet me çdo kusht dhe frika nga dosjet në prokurori e sajuan këtë koalicion. Gjithçka tjetër është e dorës së dytë dhe në rastin më të mirë, pse vecse pretekst, përndryshe. Sigurisht që faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë ndërhyjnë në skenën politike kosovare dhe ndikimi i tyre përgjithësisht nuk është progresiv. Sepse faktorët ndërkombëtarë për Kosovën pëtrgjithësisht kanë pak respekt për Kosovën, por ama edhe kjo meqë politikanët vendës përgjithësisht pak e duan Kosovën e tepër shumë e duan vetveten”.

Duke qenë se Vetëvendosje është partia më e madhe opozitare, Kurti premton se sërish do të luaj rolin e tyre si dhe mandatin e kaluar. Ai thotë se ata nuk do ta kufizojnë opozitarizmin e tyre vetëm brenda institucioneve, duke mos përjashtuar kështu edhe tubimet, protestat, demonstratat e aksionet e ndryshme në rrugë.

“Edhe mandatin e kaluar pikërisht Vetëvendosje ka qenë opozita e vërtetë. Tash jemi edhe subjekti më i madh opozitar, i cili është shumë i gatshëm dhe i interesuar që ta krijojë një front opozitar për ta rrëzuar sa më parë këtë Qeveri. Ne nuk jemi parti po lëvizje, andaj nuk kufizohemi te veprimet brenda Parlamentit me përfaqësuesit e qytetarëve, por shtrihemi te mobilizimi i drejtpërdrejtë në tubime, aksione, protesta e demonstrata”.

Me zgjedhjen e ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli në krye të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosja e Kurtit ka qenë mjaft kritike.

E Kurti insiston se duhet krijuar një komision hetimor në Parlament, në mënyrë që të zbardhet e vërteta mbi SHIK-un.

“SHIK-u duhet hetuar me një Komision Hetimor Parlamentar, ashtu qysh e parasheh Neni 71 i Rregullores së Punës së Kuvendit. Besoj që PDK-ja ka ardhur në pushtet përmes SHIK-ut dhe se PDK-ja i ka shumë borxh SHIK-ut. Këtë borxh të PDK-së ndaj SHIK-ut le ta lajë vetë ajo, e jo populli i Kosovës me buxhetin e shtetit apo pozitat institucionale. Komisioni Hetimor Parlamentar duhet të zbardhë përbërjen e përmbajtjen, strukturën dhe qëllimet, bazën ligjore dhe rregulloren e punës, llogradhinën dhe financat e SHIK-ut. Nëse ka qenë në shërbim të krejt Kosovës, atëherë si bëhet që të gjithë agjentët kryesorë të saj ishin apo u bënë deputetë, zëvendësministra e ministra të PDK-së dhe vetëm të PDK-së, pra vetën të njërës parti?!”, ka thënë Kurti për Zëri.