Kurti: Ne nuk jemi ata të cilët shkaktojmë dhunë

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje,  Albin Kurti, ka thënë se vendi ka nevojë për një Kuvend të ri, i cili do ta zgjedhë presidentin e ri dhe një qeverisje të re, por që këto të dalin pas zgjedhjeve të reja parlamentare.

Lajme

26/02/2016 08:07

Ai i po ashtu  ka ftuar qytetarët të protestojnë sot (e premte) kundër kësaj Qeverie dhe zgjedhjes së presidentit.

“Ne nuk kemi nevojë për president të ri nga një politikan i vjetër, nëpërmjet një Kuvendi të vjetër të gazit. Ne kemi nevojë të zgjedhet një Kuvend i ri, pastaj të zgjedhen Presidenti dhe Qeveria, por jo kështu me pazare me Serbinë”, ka thënë Kurti në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Kurti në ka thënë se opozita nuk është duke shkaktuar dhunë, por ai ka thënë se dhunë është “Zajdenica”, transmeton lajmi.net.

“Protesta është paqësore. Asnjë incident nuk ka ndodhur për këto dy ditë pranë objektit të Qeverisë së Kosovës ku janë vendosur tendat. Prandaj, jemi të vendosur të jetojmë këtu në mënyrë të qetë dhe paqësore. Në sheshe nuk është vetëm vend pune, por edhe vend banese dhe jetese për ne. Ne nuk jemi ata të cilët shkaktojmë dhunë. Dhunë është ‘Zajednica’. Dhunë është Serbia”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit edhe protesta e sotme që do të organizohet kundër zgjedhje së Hashim Thaçit president do të jetë masive.

“Ne në këtë protestë presim pjesëmarrje masive të qytetarëve për arsye se ‘Zajdenicën’ e ka nisur Hashim Thaçi me marrëveshjen e 19 prillit të 2013-s, ndërkaq Isa Mustafa e ka kurorëzuar më 25 gusht 2015. Prandaj, nuk është çështja se po zgjedhet për president ndonjë qytetar i respektuar apo intelektual i madh. Pra, kjo është arsyeja pse e kundërshtojmë një gjë të tillë. Ne jemi këtu për të kërkuar zgjedhje të reja të parakohshme, si dhe për të kërkuar përfundimin e përpjekjeve për ngjalljen e ‘Zajdenicës’, pasi ajo ka vdekur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me protestat masive. Gjithashtu, edhe me peticionin që kemi bërë ne”, ka thënë Kurti.