Kurti: Haradinaj s’ka thënë asnjëherë se kemi dallime

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se midis qëndrimeve të tij dhe qëndrimeve të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, s’është thënë nga ky i fundit të ketë dallime. Ai thotë se bisedimet e LDK-AAK-Nisma me Vetëvendosjen do të vazhdojnë, por jo gjithsesi me sukses.

Lajme

17/07/2014 22:35

Kurti në emisionin Zona B në Klan Kosova ka thënë se nga të gjitha raundet e bisedimeve midis LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosjes, problem kryesor ka qenë mospërgjigja ndaj dokumenteve që Vetëvendosje u dërgonte atyre.

“Problemi kryesor i këtyre bisedimeve ka qenë se ka pasur deri më 10 korrik tekste të njëanshme. Ishim ne ata që shkruanim, ndërsa pala tjetër nuk përgjigjej”.

“Haradinaj asnjëherë nuk ka thënë se kemi dallime. Mirëpo ja që i paska thënë edhe këto”, ka konstatuar Kurti.

Sa i përket fjalëve se Vetëvendosje po luan me tri partitë e bllokut opozitar, Kurti ka thënë se kjo nuk është e vërtetë. sipas tij, Vetëvendosje është e interesuar për marrëveshje, teksa thotë se nëse një gjë e tillë ndodhë, do të ketë qeveri të fuqishme.

“Kjo nuk është e vërtetë. Është një sulm i padrejtë kundër Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Unë kam pritur që sot ta nënshkruajmë dokumentin ose jo, por do të dalim në konferencë për shtyp të gjithë së bashku”.

“Nuk është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje s’ka qenë e interesuar për marrëveshje”.

“Besoj që po u pranua kjo marrëveshje, ky është një zhvillim krejtësisht i ri në Kosovë. Në momentin që bëhet kjo marrëveshje, tashmë diçka ka ndryshuar”.

“Bisedimet do të vazhdojnë, por jo gjithsesi ato do të kenë sukses. Nëse merremi vesh, do të kemi qeveri të fuqishme, por nëse nuk merremi vesh do të kemi qeveri të dobët”.