Kurti fton opozitën, hajdeni ta rrëzojmë qeverinë, e kemi rastin

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është shprehur kundër shpërndarjes së kuvendit, ka ftuar partitë opozitare, që ta rrëzojnë qeverinë. 

Lajme

07/05/2014 14:26

Ai ka thënë se rendi politik i gjërave thotë që opozita duhet ta rrëzojë qeverinë, dhe sipas tij, Kuvendi sot e ka shansin që të merret vesh për këtë, e mos të lejojë që qeveria ta rrëzoj kuvendin. 

“Ne kemi zhvilluar takime me LDK dhe AAK. Besoj që nëse vërtetë e duam rrëzimin e qeverisë dhe ky është i mundshëm. Nevojitet një takim për marrjen vesh për tekstin. Por kjo është e mundshme por nuk ka vullnet. Kjo çka po ndodh sot është afrim i Isa Mustafës me Hashim Thaçin. VV është e gatshme që me LDK dhe AAK ta nënshkruajmë një marrëveshje që pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet ne nuk do të bëjmë koalicion në mes vete”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në Kuvend. 

Kurti ka folur edhe për afrinë e partive opozitare me qeverinë. “Vërejtja jonë ka qenë pjesëmarrja e deputetit Shala në Bruksel. Nuk e kemi nënshkruar mocionin për inat por për këto çështje. Por sot është e mundshme që të ulemi bashkë dhe të merremi vesh”, ka thënë Kurti. 

Lideri i VV-së ka thënë se nuk është e vërtetë që ka marrëveshje mes liderëve politik. “Në arsyetimin e shpërndarjes së kuvendit, thuhet se është marrëveshje mes liderëve të partive politike. Por nga fjalimi i deputetes së AKR-së, Myzejene Selmani, e kuptuam se nuk po dihet se për cilët liderë është fjala. Ne nuk e dimë se cilët liderë e kanë arritur këtë marrëveshje dhe nuk e kemi marrëveshjen e shkruar. Cili është teksti i kësaj marrëveshje ne kemi nevojë ta dimë”.

“Kryeministri duhet të jap dorëheqje. Ai premtoi ushtrinë nuk e realizojë, dhe rendi moral dhe institucional thotë që ai duhet të jep dorëheqje”.

“UÇK-ja ka hi në konfrontim radikal me Serbinë dhe tash nuk e di se si kjo Qeveria shfaqet dhe thotë duhet ta presim Beogradin për Qeverinë. Është absurd të shpërbëhet Kuvendi, etniteti më rezistues i kësaj qeverie. Ne duhet ta rrëzojmë qeverinë”.