Kurti flet për zyrtarin e Telekomit që kishte të kryer vetëm shkollën fillore

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës për gjendjen e Postës dhe Telekomin e Kosovës, ka përmendur një shembull konkret punësimi në këtë kompani.

Lajme

08/06/2018 18:06

E ka quajtur tragjedi rastin e zyrtarit që ai i është referuar si personi G, në bazë të shkronjës së parë të emrit të tij, e që tash është në pozitën e hetuesit e antikorrupsionit.

“Ky person, është punësuar në PTK në vitin 2003, si roje, sigurim. Kur është punësuar e ka pasur të kryer vetëm shkollën fillore. Pra në ndërkohë ia kanë kryer edhe shkollën e mesme edhe fakultetin dhe e kanë graduar në pozitën e zyrtarit për hetim e antikorrupsion”, ka thënë Kurti.

“E tregojnë një anekdotë të vërtetë për të. Në ditën e parë të punës ishte vonuar, sepse kur kishte ardhur nga një rajon i Kosovës nuk kishte zbritur në lokacionin e duhur. E kishte thirrur në panik punëdhënësin e tij se ‘po vonohem pak, sepse autobusi më ka dërguar në Llap’. Kur ai e kishte pyetur se si në Llap, ai ishte përgjigjur se ka zbritur diku dhe kur i ka pyetur kalimtarët se ku është i kanë thënë te Xhamia e Llapit’”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, personi G nuk ka faj.

“Ai ka qenë me shkollë fillore në vitin 2003. Buzë ekzistencës. Që 15 vjet urdhërdhënësit e tij e mbajnë të kontrolluar atë”, ka thënë Kurti.