Kurti flet për përgatitjet që duhet të bëhen para dialogut me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpjeguar rrezikun që po i kanoset Kosovës nëpërmjet vazhdimit të dialogut siç e quan ai të gabuar e të nxituar me Serbinë.

Lajme

14/07/2018 16:43

Qendrat e Lëvizjes Vetvendosje mbajtën mbledhjen e rregullt.

Mbledhjen e hapi sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, e cila foli rreth organizimit të Lëvizjes në Pika dhe në Qendër. Tashmë, kemi trembëdhjetë qendra ku ka mbaruar procesi zgjedhor për kryetar qendre dhe sot, ky proces për kryetar të Qendrës, po zhvillohet në Prishtinë dhe Gjilan. Gjatë gjithë këtij procesi janë krijuar pika të reja gjithandej Kosovës dhe vetëm në muajt maj dhe qershor, në Lëvizjen Vetvendosje kemi pranuar plotë 1,247 anëtarësime të reja.

Në vazhdim kryetari i LV-së, Albin Kurti, në diskutimin për situatën politike, theksoi rëndësinë e rezolutës së votuar pardje në Kuvendin e Kosovës për shpëtimin dhe mbrojtjen e Telekomit dhe Postës dhe obligimin që ka tash Qeveria. Po ashtu, ai shpjegoi rrezikun që po i kanoset Kosovës nëpërmjet vazhdimit të dialogut të gabuar e të nxituar me Serbinë duke potencuar se çfarë duhet të jenë përgatitjet e domosdoshme paraprake: 1) Shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017 si dhe i rezultateve të tij; 2) Përcaktimi i synimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; 3) Formulimi i parimeve dhe kushteve të dialogut të ri; 4) Forimi i ekipit tonë negociator me strategji dhe udhëheqës.

Kështu, organizata jonë është duke e bërë ristrukturimin në kohën e duhur. Me një Qeveri të pakicës, me plane të cilat kanë qëllim copëtimin e shtetit tonë, me zhvatje të pasurive e plaçkitje të buxhetit, të rrethuar me pseudoopozitarë, shtrirja e Lëvizjes në popull është e natyrshme. Përveç e natyrshme, ne duhet të tregojmë se nuk jemi si këto qeverisjet e deritanishme. Ne duhet të jemi afër me anëtarët dhe duhet ta duam popullin pa kushte. Të jemi të mirë e të drejtë me anëtarësinë e me qytetarët, më patriotë e më të dijshëm se të gjithë kundërshtarët. Të punojmë me veten pa pushim dhe të bëjmë punë më shumë se kurdo. Vetëm me punë e ndershmëri jemi në nivel të detyrave dhe të përgjegjshëm ndaj së ardhmes. Lëvizja do të qeveris gjithnjë e më shumë në muajt e vitet në vijim. Lëvizja është qeverisja e ardhshme, e ardhmërisë që e shpresojnë të gjithë, pa krim e korrupsion, me zhvillim e punësim, me solidaritet e begati./Lajmi.net/