Kurti: Enver Zymeri është hero i integritetit të Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar rënien e policit Enver Zymeri në veri të Mitrovicës, në një aksion që kishte marrë shteti i Kosovës në vitin 2011.

Lajme

26/07/2018 11:10

Kurti ka thënë se Enver Zymeri është hero i integritetit të Kosovës.

Por, sipas Kurtit 7 vjet pas vdekjes së Zymerit, pushtetarët sot nuk kanë vija të kuqe për  Serbinë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Kishte kohë që nuk e kisha takuar Rremën, siç e thërrisnim Muharrem Zymberin në burgun e Pozharevcit. U stepa kur e pashë në televizor në krye të radhës së familjarëve që prisnin për ngushëllime. Ia kishin vrarë djalin, Enverin. Pranë arkivolit të të birit përshëndetej me policët e shumtë të cilët e kishin humbur kolegun më të mirë e më trim të tyre.

Shtatë vjet më vonë shënojmë edhe një përvjetor të vdekjes së policit dëshmor, Enver Zymberit, i cili u vra nga kriminelët serbë në veri të Kosovës. Enver Zymberi është hero i integritetit të Kosovës.

Gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ishte shumë i ri, Enveri e kishte babain në burg të Serbisë kurse me gjithë familjen e deportuan në Shqipëri. Mirëpo, ai menjëherë u mobilizua në radhët e UÇK-së në Kukës dhe hyri në luftë në Koshare. 12 vjet më vonë bie dëshmor në Kosovën e shpallur të pavarur.

Qeveritë e Kosovës e kanë lejuar sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në veri. Madje, ato edhe kanë dialoguar e bashkëpunuar me to: prej kontrabandës që zhvillohej në veri të vendit e deri te formimi i koalicioneve qeverisëse në Prishtinë.

Janë të njëjtit pushtetarë që sot nuk kanë vija të kuqe për Serbinë dhe nuk skuqen për zhvatjet e tyre në Kosovë. Ata nuk e respektojnë as dëshmorin e as qytetarin e Kosovës, prandaj nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe lavdia e dëshmorit, policit të Republikës së Kosovës, Enver Zymberit!/Lajmi.net/