Kurti e Konjufca takohen me O’Connell, flasin për zhvillimet e fundit në Kosovë

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell është pritur sot në Vetëvendosje nga Kryetari i këtij subjekti, Albin Kruti, si dhe nga shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca.

Lajme

06/02/2018 17:26

Në një komunikatë të lëshuar nga Vetëvendosje është bërë e ditur që në këtë takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike e institucionale.

Në këtë komunikatë thuhet se të dy palët potencuan rëndësinë e marrëdhënieve sa më të mira, e bashkëpunimit sa më të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontakte e takime të vazhdueshme në të ardhmen.

Kjo është komunikata e plotë e Vetëvendosjes:

“Ambasadori Ruairi O’Connell pritet në takim në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Në selinë qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, sot, kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, pritën në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend me theks të veçantë për zhvillimet e fundit politike e institucionale. Kurti e Konjufca e njoftuan ambasadorin O’Connell me qëndrimet dhe idetë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për daljen nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për reformën në drejtësi si parakusht për luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit.

Të dy palët potencuan rëndësinë e marrëdhënieve sa më të mira e bashkëpunimit sa më të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe për kontakte e takime të vazhdueshme në të ardhmen.”/Lajmi.net/