Kurti: Ata që kundërshtojnë FAK-un, përfaqësojnë qëndrimin e Beogradit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se FAK-u nuk është kundër serbëve dhe asnjë minoriteti në Kosovë. Sipas tij, të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë ushtri nuk përfaqësojnë minoritetet, por qëndrimin e Beogradit.

Lajme

05/05/2014 20:19

Kurti ka bërë të ditur se i vetmja gjë kur FAK bie në kundërshtim me diçka, është me pretendimet e Serbisë për Kosovën.

Ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë të hënën se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, ndërsa nuk duhet që edhe më tej të vazhdohen ulëset e rezervuara për minoritetet në Kuvend.

“Ushtria e Kosovës, e quajtur Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk është kundër serbëve, nuk është kundër asnjë minoriteti në Kosovë. Ajo ushtri mund të jetë vetëm kundër pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës”.

“Të gjithë ata që e kundërshtojnë FAK-un, nuk përfaqësojnë qëndrim minoritetet, por përfaqësojnë qëndrimin e Beogradit”.

“Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, mirëpo nuk do të duhej që edhe më tej të vazhdohen ulëset e rezervuara, të cilat na minojnë shtetësinë, duke e bërë Kosovën një vend jo-funksional”.

“Pra, ulëset e serbëve nuk po kërkohen për shkak të të drejtave të serbëve, por për shkak të ambicieve të Beogradit, dhe ne duhet ta mbrojmë Republikën nga pretendime të tilla”.

Duke folur për Ligjin e zgjedhjeve, Kurti ka thënë se nevoja që ligji i zgjedhjeve të aprovohet është e madhe, derisa ka theksuar se midis krerëve të partive politike në vend po bëhen pazare jashtë-institucionale, gjë që, sipas tij, s’i kontribuojnë frymës demokratike.

“Po bëhen disa pazare politike jashtë institucionale dhe jashtëligjore, kjo po ndodhë midis krerëve politikë të partive në Kosovë, ku ne nuk jemi pjesëmarrës. Ne mendojmë që ka nevojë për diskutime parlamentare në Kuvendin e Republikës”.

“Kemi nevojë për zgjedhje të lira, demokratike dhe jo vetëm për zgjedhje të qeta. Për këtë gjë duhet të kontribuojë KQZ-ja me përgatitjet e duhura. Por, besoj që këto pazare, që po bëhen jashtë institucioneve të Republikës, nuk i kontribuojnë frymës demokratike e cila e domosdoshme për zgjedhje të lira”, ka thënë Albin Kurti në “VOA”.