Kur Molliqaj thoshte se Shpend Ahmeti fitoi në Prishtinë pa ndihmën e Albin Kurtit

Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, edhe publikisht ishte renditur në krahun e Shpend Ahmetit. Në një tubim partiak, ai kishte thënë se Ahmeti e fitoi Prishtinën pa ndihmën e Albin Kurtit

Lajme

10/12/2017 16:18

I forti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj s’ia kishte lënë asnjë meritë Albin Kurtit për fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, kur i njëjti ishte përballur me Isa Mustafë.

Molliqaj kishte thënë se fitorja e Ahmetit në Prishtinë kishte ndodhur edhe pa ndihmën e liderit shpirtëror të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Isa Mustafa pati thënë le të bëhen krejt bashkë: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Albin Kurti. Pati thënë krejt i muj. Në fakt, atë e mundi veç Shpendi, pa Ramushin, pa Albinin, pa Hashimin”, kishte thënë Molliqaj, në një tubim partiak.

Dallimet ndërmjet dy grupeve në Vetëvendosje kanë dalë në publik kur u publikua një komunikim i Aida Dërgutit me Dardan Molliqajn, e ku deputetja e VV’së i referohet Kurtit si mut.

Molliqaj para tri javësh kishte folur për ndarjet në Vetëvendosje. Atëkohë, kishte thënë se është me Albin Kurtin derisa të pajtohen.

Dërguti kërkoi falje derisa në përkrahje të saj dolën disa prej deputetëve të VV’së.

Në anën tjetër, përkrahësit e Kurtit në VV, lëshuan akuza në drejtim të grupit tjetër.

Xhelal Sveçla, deputet i VV’së, tha se dikush deshi ta eliminonte Kurtin nga gara për Kryetar të Partisë.

Ende nuk ka një qëndrim të Albin Kurtit, i cili po vazhdon të mbahet në paraburgim për shkak të seancave që po zhvillohen për gazin lotësjellës.

Sidoqoftë, përplasjet e para në VV kanë nisur kur ishte detyruar Dardan Molliqaj të jepte dorëheqje nga pozita e Sekretarit të VV’së.

Përkrahësit e Kurtit kishin dalë kundër Molliqajt edhe për shkak se ai bashkë me Shpend Ahmetin kishin bërë një grup në zgjedhjet nacionale, duke e lënë Kryetarin e partisë me më pak vota. E kishin shkelur me vota edhe njeriun tjetër besnik të Kurtit, Glauk Konjufca, i renditur pas Molliqajt e Ahmetit me vota.

Asnjë fjalë s’e ka thënë as Shpend Ahmeti, i cili në zgjedhjet nacionale, kishte shkelur me vota edhe Kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin, duke marrë më shumë se 36 mijë vota se lideri. /Express/