Kur e mbështetë për murit Amerikën!

Janë shqiptarët ata që kanë pozitë dhe opozitë antiamerikane. Nuk është Amerika kundër interesave të shqiptarëve. Është Korrupsioni, jo Asociacioni, që e ka sjellë në këtë dergjë shtetin e Kosovës, të çliruar dhe pavarësuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Opinion

11/01/2016 21:17

Mllefi i qytetarëve të Kosovës kundër cilësdo qeveri të pasluftës, përfshirë qeverinë aktuale, nuk është shfrytëzuar asnjëherë sa duhet dhe si duhet, ngase partitë opozitare të kohës gjithnjë kanë pasur prioritete tjera përpara t’keqës që sot e ka sjellë Kosovën e pavarur në pragun e dështimit. Mllefin e shoqërisë, të akumuluar nga korrupsioni qeveritar, kjo klasë politike ka qenë gjithmonë e gatshme ta shtypë ose keqpërdorë, duke nxitur gjithnjë tema “patriotike”, vend dhe pavend, tema të cilat nuk janë vetëm të Kosovës, ashtu siç interpretohen sa për konsum të brendshëm politik.

Populli, “primitiv”, ka qenë në dilemë, pa alternativë, sa herë i është dhënë rasti të bëjë ndryshime. Vetëm militantët ishin të vendosur në të këtilla raste, të gatshëm ta mbrojnë ose marrin pushtetin fitimprurës. Edhe me molotov!  Prandaj, deri tani nuk ka ndodhur që opozita të imponojë zgjedhje të parakohshme, sepse ka dështuar të bindë popullin se do të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, varfërinë, nepotizmin, klientelizmin dhe fenomene të tjera të këqija që janë bërë pjesë e sistemit që prej Ditës së Çlirimit.

Nuk ka ndodhur që Perëndimi t’i jep mbështetje opozitës kosovare, siç ka ndodhur në shumë shtete tjera të rajonit kur mllefi qytetarëve ka shpërthyer kundër qeverisjes së keqe, në ato shtete ku për korrupsion e krim të organizuar janë burgosur ish kryeministra, ministra dhe qindra zyrtarë e ish zyrtarë. Mbështetja që duket se i vije tërthorazi pushtetit në Kosovë prej përtej Atlantikut, nuk është se pozita aktuale është pro-amerikane. Në fakt, pozita dhe opozita kosovare me veprimet e tyre prej vitit 1999 dhe sidomos pas vitit 2008, kanë treguar se janë subjekte antiamerikane, parti që shkelin mbi vlerat shoqërore, demokratike dhe përendimore.

Me pak vonesë, por vetëdija politike e qytetarëve të Kosovës ka filluar të ndryshojë. Shenjat e para të këtij ndryshimi u panë në zgjedhjet e fundit lokale kur votuesit për keqeverisje ndëshkuan shumicën e partive që kishin pushtetin në komuna. Tashti po krijohet përshtypja se sa më shpesh që një shoqëri i ndërron qeveritë, aq më parë çlirohet nga ai brez politikanësh. Kjo vërehet me mbështetjën që aktualisht po fiton opozita, jo se premton ndonjë alternativë më të mirë qeverisëse, porse shoqëria duket e gatshme t’ia dëshmojë klasës politike fuqinë, se mund të imponojë zgjedhje të parakohshme, si mësim për këdo tjetër që do të vije në pushtet, qoftë edhe koalicioni aktual.

Opozita aktualisht po proteston me kërkesë për dorëheqjen e qeverisë, për dy marrëveshje ndërkombëtare të cilat pavarësisht numrave në Parlament, nuk duhej të nënshkruheshin pa arritjen e koncensusit politik. Për më keq, doli që të paktën me njëren prej këtyre marrëveshjeve, qeveria ka shkelur Kushtetutën! Por opozita ka ende shumë punë për të bërë derisa kjo qeveri të detyrohet të jep dorëheqje, sepse nuk është Asociacioni as Demarkacioni që e kanë sjellë në këtë dergjë shtetin e Kosovës.

Kjo qeveri, që premtoi shumë gjatë fushatës elektorale, ka bërë zero përparim në luftën kundër korrupsionit dhe për të ardhur deri te dorëheqja e saj, opozita duhet ta kuptojë që populli, me gjithë mllefin e krijuar, kërkon besim se do të luftohet korrupsioni;  nuk e mbështet rrëzimin me dhunë të pushtetit; dhe nuk mbështetë qeveri që kërkon rishikim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, sipas përceptimit të opinionit publik, Kosova është vendi më i korruptuar në rajon, me një qeveri dhe një pjesë të opozitës që e ka të vështirë të luftojë vetveten, ngase kanë përbrenda shumë të korruptuar; dhe një pjesë tjetër të opozitës që iu jep prioritet temave lokale, që janë në kundërshtim me agjendën politike amerikane, dhe që si të tilla, pa Washingtonin, mund t’i çojë jo më larg se deri në Gërmi. Ashtu si Sizifi gurin e tij!

Kjo klasë politike mund të flasë gjithë ditën për mbështetjën a njëanshmërinë e ambasadorëve Christopher Dell, Tracey Ann Jacobson apo Greg Delawie, të trillojë edhe teori konspiracioni, por duhet ta kuptojë se nuk është Amerika ajo që po e mban Shqipërinë në tranzicion prej 25 vjetësh, nuk është Amerika që e ka çakorduar klasën politike të Kosovës, dhe nuk është Amerika ajo që e ka degraduar politikën e shqiptarëve në Maqedoni.

Me shtirje, klasa politike e Kosovës e ka mbështetur për murit Amerikën, e cila si “shpëtim” Kosovës ia imponoi për çdo rast edhe Gjykatën Speciale, që pak kush pret se do të sjellë dënime me akuza të trilluara për krime lufte, por do merret me krimet e pasluftës. Kjo ngase pozita injoron kërkesën e Washingtonit për të luftuar korrupsionin, derisa opozita, në vend që ta shfrytëzojë situatën, kërkon aleancë të re me Shtetet e Bashkuara – rishikim të politikës amerikane ndaj shtetit të Kosovës!

Përpara se të fajësohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk është se veprojnë gjithmonë drejtë, apo ashtu siç do të dëshironin shqiptarët, klasa politike shqiptare në Ballkan, sidomos ajo e Kosovës, duhet të fajësojë e ndryshojë vetveten. Pas tjetërsimit (nga paraja), kjo klasë politike duhet të gjejë forcë brenda vetvetes dhe të ecë përtoke, të kujtojë se ku ishte Kosova pak vjet përpara, më 1999.

Si shoqëri, si popull, shumica e ka në kujtesë Ditën e Çlirimit, e ka të qartë se luftën e fitoi falë gjakut të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë kur në krahun e saj u rreshtua aleanca më e fortë politiko-ushtarake e botës, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Por ndoshta një pjese të kësaj klase politike është e nevojshme t’i kujtohet se pa këtë aleancë, pa ndihmën e Perëndimit, Kosova nuk do të fitonte gjë me kallashnikovët e ndryshkur të shtetit amë.

Nuk është bash e lehtë shpirtërisht të pranohet pafuqia përballë atij armiku, asaj lufte shfarosëse, përballë atij regjimi e shteti që kreu gjenocid, jo vetëm ndaj shqiptarëve! Mirëpo duhet kuptuar se ashtu sikurse dje që nuk do të mund të fitohej lufta pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe sot vështirë të ruhet paqja. E para, sepse Kosova po dëshmon se ende nuk është në gjendje ta ruajë; e dyta, edhe kur të arrijë këtë nivel, pa Amerikën nuk ka fuqi t’iu bëjë ballë interesave gjeostrategjike e gjeopolitike të Lindjes.

Pra, politikisht Kosova, bashkë me Shqipërinë, bëjnë një pikë uji në oqean, përballë interesave të mëdha të kësaj bote. Si rrjedhojë, shqiptarët janë të fortë vetëm nëse do të dinë të qëndrojnë pa u lëkundur në anën ku gjithmonë kanë dalë fitues.

Sot, populli i Kosovës nuk ka besim në klasën e vet politike, sepse veç keqqeverisjes, shpeshherë është manipuluar edhe me tema patriotike! Populli e ka të freskët luftën, krimet çnjerëzore të Serbisë në Kosovë, por po ashtu e ka të qartë se sot nuk është më viti 1999! Kosova, pavarësisht të kaluarës së saj të përgjakshme, nuk duhet dhe nuk mundet t’i hakmerret Serbisë. Po ashtu, populli e ka të qartë se Serbia, edhe sikur të dojë, e ndoshta do të dëshironte, nuk mundet të rikthehet në Kosovë, kurrë, pavarësisht Asociacionit a rregullimit të brendshëm të shtetit të Kosovës.

Sikur Kosova ta kishte fituar vetë luftën më 1999, sot me siguri do flitej pak më ndryshe. Vërtetë është e rëndë që serbët e Kosovës të gëzojnë privilegje, ndërkohë që diskriminohen shqiptarët e Luginës! Por, kjo nuk është vetëm në dorën e shqiptarëve! Duhet pranuar, dhe ashtu sikurse dikur e bindën Amerikën se kishin të drejtë, dhe ajo rrezikoi luftën e tretë botërore për ta çliruar Kosovën, ashtu tashti duhet bindur se Kosova nuk është projekt i dështuar, për çka Serbia “vdes” ta dëshmojë, por është faktorë i rëndësishëm paqeje brenda hapësirës gjeostrategjike e gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara!

Shqiptarët, autoktonë, të ndarë në gjashtë shtete ballkanike, kanë potencial të mjaftueshëm për të destabilizuar rajonin, për një kauzë dhe të drejtë legjitime. Bashkimin! Por, përpara duhet bërë pyetjen vetës se si do t’ia dalin të vetëm në këtë projekt. Gjermanët, popull i madh, por u desh të prisnin shumë vjet prej ditës kur presidenti John Kenedy u foli pranë murit të Berlinit për të drejtën e ribashkimit të dy Gjermanive. Për shqiptarët, bashkimi është edhe më i vështirë, edhe janë pak edhe janë ndryshe nga të gjithë popujt tjerë përreth!

Shqiptarët kanë nevojë për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikiës. Kanë nevojë të rikthejnë besimin që dikur Amerika kishte për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullin shqiptar. Sot ky besim midis dy popujsh lidhet me luftën kundër korrupsionit! Kjo është pika prej ku me lidhje Bese (vullnet politik) do të duhej të fillonte qysh nesër dialogu pozitë-opozitë, që do të çonte te prerja e nyjës gordiane, te reformat në drejtësi dhe zgjedhjet e parakohshme, për të mirën e popullit të Kosovës!

(Autori është opinionist i lajmi.net. Qëndrimet e tij nuk pasqyrojnë domosdosmërisht politikën editoriale të redaksisë së portalit)