Kur di shumë, të nxjerrin jashtë!

Kompania ajrore amerikane, “United Airlines”, e ka ndaluar një studiues të sigurisë kibernetike për të udhëtuar me avionin e saj, pasi në faqen e tij në Twitter kishte shkrua se ai mund të jetë në gjendje për të marrë në kontroll sistemin e drejtimit të avionit.

Bota

20/04/2015 15:46

Studiuesi Chris Roberts ishte nisur për të fluturuar me “United” nga Kolorado në San Francisko, për të folur në një konferencë të madhe të sigurisë, që u mbajt të shtunën që shkoi. Por kur ka arritur në aeroport, është habitur me vendimin e kompanisë ajrore.

Roberts është themeluesi i firmës kibernetike, “One World Labs” që përpiqet për të gjetur dobësitë në sistemet e teknologjisë informative (IT) dhe të alarmojë kompanitë përpara se ato të shfrytëzohen nga ana e kriminelëve të kibernetikës.

Edhe të mërkurën e kaluar Roberts u largua nga avioni i së njëjtës kompani nga agjentët federal, të cilët ia morën llap-topin dhe e intervistuan atë për më shumë se katër orë.

Por ai këmbëngulë se kompanitë ajrore dhe të gjitha kompanitë tjera që kanë përgjegjësi për jetët e njerëzve duhet të investojnë më shumë në mënjanimin e rreziqeve përpara se të jetë tepër vonë.

Në një rast tjetër ai ka shkruar në Twitter se mund të kontrollojë edhe maskat e oksigjenit në avion, dhe derisa ka qenë në shtëpinë e tij ka shkruar këtë mesazh.

“Jam në një avion boing 737/800, të shohim tabelën: “Box-IFE-ICE-SATCOM…? A duhet të luajmë me mesazhet e EICAS (sistemin e kontrollit ajror)? “PASS OXYGEN ON”! Ndokush? :)”, ishte shkruar Roberst, për të dëshmuar se kompanitë ajrore nuk janë të vetëdijshme se sa të pasigurta përballë kriminelëve të kibernetikës.

Edhe pse e ndaloi të fluturonte me avionin e saj, kompania “United” ka siguruar opinionin se qasja në sistemin e kontrollit të avionëve nuk është aq e lehtë sikurse thotë Roberts.

“Ne jemi të sigurt se sistemet tona të kontrollit të fluturimit nuk mund të arrihen përmes teknikave të përshkruara nga Robert”, ka thënë zëdhënësi i kompanisë ajrore amerikane, Rahsaan Johnson.

I pyetur se përse atëherë “United” kishte penguar studiuesin Roberts për të fluturuar me avionin e saj, Johnson ka thënë se studiuesi ka manipuluar me sistemin tonë të sigurisë.

“Duke pasur parasysh pretendimet e Roberts, në lidhje me manipulimin e sistemeve të avionëve, ne kemi vendosur se është në interesin më të mirë të klientëve tanë dhe anëtarëve të ekuipazhit që ai të mos lejohet të fluturojë me kompaninë tonë”.

“Ne e kemi marrë këtë vendim sepse Roberts ka bërë komente në lidhje me sigurinë dhe pajisjet e avionëve të kompanisë sonë, e që është një shkelje e politikave të ‘Uniteds’, pasi udhëtarët nuk do të duhej të merreshin me çështje të tilla”.

Por Roberts kohëve të fundit kishte dhënë disa intervista për pasigurinë e sistemeve të kontrollit ajrorë që mund të vë në rrezik shumë jetë njerëzish, nëse organizatat terroriste paguajnë kriminelë të kibernetikës për të shfrytëzuar këto dobësi të kompanive ajrore, jo vetëm të “United”.

“Është shumë e thjeshtë, me anë të një llap-topi mund të kthesh motorët ‘off’ në lartësinë 10 mijë metra dhe të mos ndizet asnjë nga ato dritat ‘e djallit’ në kabinën e kapitenit të aeroplanit”, ka thënë Roberts javë më parë për Fox News, raporton lajmi.net.

Studiuesi i kibernetikës ditë më parë ka folur edhe për CNN, ku ka thënë se kompanitë ajrore duhet patjetër të angazhohen më shumë për të krijuar kushte maksimale sigurie për vetveten dhe udhëtarët, pasi sipas tij, në ditët e sotme, një haker i ulur në kabinën e pasagjerëve mund të lidhë llap-topin në rrjetet që kalojnë nën karrigen e tij dhe të ketë qasje në motor dhe sistemin e menaxhimit të fluturimit.

Roberts ka angazhuar avokatin e tij për të paditur “United” në rast se nuk merr sqarime se përse i është ndaluar udhëtimi, pa pasur ndonjë flet ndalesë për të nga autoritet. Kompania ajrore e “zënë ngushtë”, ka bërë të ditur se brenda dy javësh do t’i përgjigjet me shkrim studiuesit të kibernetikës, i cili nuk ka bërë asgjë, përveç se ka ngritur alarmin e rrezikut të shfrytëzimit të sistemit të kontrollit ajror nga kriminelët e kibernetikës. /lajmi.net/