Kupa e shton besimin te Arsenali

Mathieu Flamini mendon se fitorja në finale të FA Cup ndaj Hull Cityt të shtunën, mund ta ndihmojë Arsenalin ta ndërtojë një besim të fortë dhe se do ta motivojë për të fituar trofe të tjerë në të ardhmen.

Sport

16/05/2014 21:58

Mesfushori i Arsenalit, Mathieu Flamini beson se fitorja në finale të FA Cup do ta ndërtonte një mentalitet fitues për klubin për të ardhmen.

Pasi dështuan ta fitonin titullin në Premierligë dhe pas eliminimit të hershëm nga Liga e Kampionëve, Topçinjtë do të mundohen ta fitojnë në fundjavë këtë trofe, për të mos mbetur duarthatë këtë sezon.

“Duke fituar tituj dhe trofe, është e rëndësishme për të ardhmen. Kjo e ndërton mentalitetin”, deklaroi ai.

“Është e rëndësishme ta fusësh në kokë se duhet t’i arrish objektivat që ia ke qitur vetes në fillim të sezonit”.

“Kur Arsenali ka pasur sukses në të kaluarën, kishte mentalitet fituesi. Sapo e fiton një trofe, kjo është në kokën tënde. Bëhet pjesë e jotja. Fillon me një dhe më pas objektivat bëhen më të lartë”, vazhdoi ai.

“Arsenali ka pasur gjithmonë kualitet, por tash e kemi një ekip garuesish, i cili dëshiron të fitojë dhe urren të humb. Ne e kemi ekipin me shumë personalitet dhe kjo është e rëndësishme”, përfundoi ish futbollisti i Milanit.