Kupa e Napolit

Napoli mposhti Fiorentinën me rezultat 3:1 dhe rrëmbeu trofeun e pestë të Kupës së Italisë. Lorenzo Insigne shënoi dy herë kurse Dries Mertes shtoi një tjetër gol në triumfin e skuadrës së trajnerit Rafael Benitez.

Sport

04/05/2014 00:37

Napoli mposhti Fiorentinën me rezultat 3:1 në finalen e Kupës së Italisë në stadiumin Olimpico të Romës.

Skuadra e trajnerit Rafael Benitez rrëmbeu trofeun, në duelin e nisur me mjaft tension dhe me shtyrje prej më tepër se gjysmë ore pas përleshjeve mes tifozëve të Napolit dhe atyre të Romës – nikoqir i finales – para fillimit të ballafaqimit.

Napoli e nisi furishëm duelin dhe kaloi në epërsi në minutën e 11-të me golin e Lorenzo Insignes. I njëjti futbollist shënoi sërish në minutën e 17-të duke krijuar epërsi komode për skuadrën e tij.

Por, Fiorentina nuk u dorëzua dhe u kundërpërgjigj nëpërmjet Juan Vargasit në minutën e 28-të.

Në pjesën e dytë, Fiorentina pati më tepër nga posedimi i lojës kurse Napoli u tërhoq në pritje të ndonjë kundërsulmi.

Napoli mbeti me dhjetë futbollistë kur Gokhan Inler u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 79-të. Kurse, goditjen përfundimtare Fiorentinës ia dha rezervisti Dries Mertens i cili shënoi në minutën e 92-të dhe ia siguroi Napolit trofeun e pestë të Kupës së Italisë.