Kupa e Kosovës, Shpendi vs Luta

Nesër në kryeqytetin e Kosovës dy ekipe futbolli do të ndeshen për finalen e Kupës.

Lajme

27/05/2016 23:35

KF Prishtina do ta presë Dritën e Gjilanit. Kjo ndeshje e sivjetme pritet të jetë goxha e fortë pasi fituesi merr pjesë në Ligën e Evropës vitin e ardhshëm, shkruan lajmi.net

E këtë rivalitet dikush e ka nisur një ditë para lojës. Janë pikërisht kryetarët e dy komunave nga vijnë skuadrat. Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Lutfi Haziri i Gjilanit. Duket se të dy rivalitetin politik, do ta sjellin nesër në stadiumin e kryeqytetit.

Ahmeti i Vetëvendosjes u ka bërë thirrje të gjithë adhuruesve të Prishtinës që nesër të shkojnë ta përkrahin klubin e qytetit. Ai po ashtu ka ftuar edhe tifozët e Dritës për ta ndjekur lojën, ndërkaq ka edhe një ftesë të veçantë, shkruan lajmi.net

“Luta nuk e di a vjen, por e ftojmë edhe atë, bonja tag najkush”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Kësaj ftese si duket i është përgjigjur Luta pak më vonë me një status. Sikurse Ahmeti edhe ai u ka bërë thirrje tifozëve të Dritës, “Intelektualëve” që të përkrahin skuadrën e tyre.

“Unë do të jem prezent në Prishtinë për të fituar. Forca Drita! LH”, ka shkruar Haziri.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se ka organizuar 20 autobusë për tifozët. /lajmi.net