Kupa e Botës, Prishtina me lajm të keq për tifozët

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të mos lejojë transmetimin e Kampionatit Botëror “Russia 2018” në shesh. Ky transmetim ishte planifikuar të bëhet nga kompani KD Events, por asaj i është revokuar pëlqimi nga Komuna.

Sport

13/06/2018 18:56

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke mos dhënë asnjë sqarim. Drejtori ekzekutiv i KD Events, Kushtrim Demiri në një konferencë për media, ka thënë se një eveniment të ngjashëm kishin organizuar edhe para dy vitesh, por kësaj radhe nuk u lejua një gjë e tillë duke mos ditur arsyen e vërtetë të komunës dhe kryetarit të saj Shpend Ahmeti.

“Kjo është kërkesa që kemi bërë në drejtori për t’u pajisur me pëlqim që kemi marrë më 4 qershor prej Drejtorisë Publike, Ajo çka vlen të theksohet është se pas kësaj date ne na japin lejen dhe fizikisht na kanë thirru më 6 qershor në mëngjes në zyrat e drejtorisë që kemi marrë lejen. Çuditërisht, pas gjashtë orëve ne marrin një email në të cilin thuhet se është revokuar leja. Arsyeja e revokimit të lejes është se sheshi është i zënë dhe nuk mund të jetë për 30 ditë”, ka thënë Demiri.

Demiri tha se kompania që ai drejton ka kryer të gjitha detyrimet dhe ka marrëveshje me transmetuesin publik për transmetimin në shesh të këtij eventi sportiv, ndërsa paralajmëroi se kjo çështje nuk do të përfundojë me kaq, pasi mos lejimi i transmetimit në shesh bëhet për interesa personale të Komunës së Prishtinës.

“Ne do të kërkojmë edhe domethënë të gjitha hapat ligjorë, t’i shfrytëzojmë ato thjesht për humbje të cilat na kanë kushtuar. Por, gjithsesi edhe padia penale, edhe padia civile ndaj të gjithë personave që i kanë shkelur këto, për arsye se qyteti është i Prishtinës, qytetarëve të saj dhe nuk është i kryetarit”, tha Demiri.

KosovaPress ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, por Zyra për Media nuk ka qenë e gatshme të japë përgjigje. Ndërsa, Habib Qorri nga Komuna e Prishtinës, duke mos dashur të flasë para kamerave, tha “se nuk është çështje për të cilën duhet të flasë”.