Kundërshtohet propozim/ligji që ndalon publikimin e “bombave” në Maqedoni

Pas propozim/ligjit për ndalimin e publikimit në media të materialeve të përgjuara, BDI dhe VMRO-DPMNE vendosen në shënjestër të kritikave të ashpra. Sektori civil, partitë opozitare dhe gazetarët, e konsideruan propozimin e dy partive qeverisëse si tentativë për censurë.

Lajme

07/10/2015 16:34

Për Lëvizjen “Besa”, BDI dhe VMRO-DPMNE po tentojnë të mbulojnë diellin me shoshë.

“Këtë propozim/ligj ne në parim e shohim si tentativë për të mbuluar diellin me shosh. Të gjitha skandalet dhe krimet e bëra, këta njerëz po mundohen me një propozim ligj t’i ndalojnë. BDI-ja, kur dëshironin t’i dilnin bombave të opozitës si Mic Sokola, thoshin le të publikohet gjithçka, tani cila është e vërteta. Ajo kur thoshin se duhet publikuar gjithçka apo kjo kur propozojnë ligj për të ndaluar publikim e tyre. Mendojmë se është gjithçka vonë dhe se është më mirë është që ata të tërhiqen nga ky ligj dhe të vazhdoj publikimi i të vërtetës”, deklaroi Afrim Gashi, Lëvizja “Besa”.

Lëvizja për reforma në PDSH theksonte se me rolin e BDI-së në këtë marrëveshje, partia e Ahmetit i ka bërë atentat lirisë së fjalës.

“Dje u munduan të vrisnin lirinë ndërsa sot mundohen të arsyetojnë pse donin ta vrisnin lirinë, gjoja “për të mbrojtur nga shantazhimi njerëz me veprime që kanë të bëjnë me çështje private”. “Monstra”! Ku i dihet, mund të jetë edhe çështje private e Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit për favore të ndërsjella, por akuzat ishin shumë publike gjoja se shqiptarët fundamentalist dhe radikal paskan vrarë. “Lagjja e trimave” dhe Kumanova është tmerr që e përjetuan të gjithë shqiptarët e Kumanovës por edhe të tjerët, pa kursyer grup-moshat, a janë fëmijë, pleq e të rritur, a janë gra apo burra, kjo assesi nuk mund të jetë çështje private, por shumë publike”, thonë nga Lëvizja për reforma në PDSH.

Rilindja Demokratike Kombëtare nga ana tjetër kërkon që seancat gjyqësore të aferës së përgjimeve të transmetohen drejtpërdrejt në televizionet kombëtare.

“Ky propozim i fundit është kulminacioni i degjenerimit total të këtij pushteti dhe prandaj kërkojmë ndërhyrje urgjente të komunitetit ndërkombëtarë sepse ky pushtet është duke shkatërruar çdo investim që ky komunitet ndërkombëtarë ka bë për këtë vend për këto 25 vite të pluralizmit. Në të kundërtën, kjo tolerancë do të sjellë një anarki totale me pasoja të rënda për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi”, theksuan nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Partia liberal-demokrate,e Zoran Zaev,  paralajmëron se do ta bojkotojë një ligj të tillë nëse kalon në fazën e votimit.

“Jo kushtetues, anti-demokratik, i pa civilizuar, i turpshëm, skandaloz. Vetëm kështu mund të vlerësohet iniciativa e VMRO-DPMNE dhe BDI, për paralajmërimin e propozim ligjit për ndalimin e publikimin e materialeve të përgjuara. Përmes kësaj tentative, që me gjoba jo logjike dhe censurë të ndalohet shpërndarja e projektit “E vërteta për Maqedoninë”, qartë shihet frika dhe nervozizmi e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së nga humbja e pushtetit”, deklaroi Filip Janeviq, Zëdhënës i PLD-së.

SHGM-ja kërkon heqjen urgjente të propozim ligjit, pasi sipas tyre, ai shkel Kushtetutën.

“SHGM-ja kërkon heqjen urgjente të propozim ligjit nga procedura parlamentare. Me këtë propozim skandaloz, në vend të pritjeve për përmirësimin e lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediave, qeveria po tenton të mbys lirinë e fjalës dhe t’i përcaktojë gazetarëve për çka guxojnë dhe për çka nuk guxojnë të informojnë opinionin. Një propozim ligj i tillë shkel Kushtetutën, neni 16 i të cilës thekson se ndalohet censura”, theksojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Kundër propozim/ligjit u shprehën edhe opinionistë dhe figura nga sfera e mediave. Reagimet vijnë pas nismës së dy partive qeverisëse, të cilat parashtruan propozim/ligj i cili do të ndalonte ri-publikimin e të gjitha materialeve të publikuara deri tani nga opozita dhe publikimin e materialeve të tjera të përgjuara, për të cilat opozita pretendon se posedon një numër të konsiderueshëm të tilla. Në propozim ligjin e parashtruar nga BDI dhe VMRO-DPMNE, parashikohet që materialet e tilla të mos publikohen as jashtë vendit, atje ku Kushtetuta e Maqedonisë nuk ka kompetenca.(AlsatM).