lajmi.net

Kundërshtohet iniciativa për heqjen e kufizimit për importin e veturave të vjetra

Anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, më 26 qershor e kanë përkrahur në parim iniciativën e deputetit të PDK-së Mërgim Lushtaku, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Lajme

30/06/2018 23:12

Kërkesë e Lushtakut ishte që neni 44 i këtij ligji të ndryshohet dhe mos të jetë kriter çështja e vjetërsisë për regjistrim të automjetit.

I kontaktuar nga gazeta Jeta në Kosovë, Lushtaku tha se ai ka ardhur me tri propozime, njëra ndër to është neni 44 me anë të të cilit kërkohet mos lejimi i importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet.

“Unë i kam propozuar tri nene. Njëra është rreth çështjes së veturave më të vjetra. Kam kërkuar që të ndryshohet ky nen pasi që për çështjen e sigurisë dhe mbrojtjen e ambientit nuk duhet me kanë kriter vetëm çështja e vjetërsisë”, tha Lushtaku.

Ai shtoi se në vende të Bashkimit Evropian dhe SHBA nuk ka kufizim. Sipas tij për ruajtjen e ambientit duhet të ketë standard të naftës apo derivateve ndërsa, për siguri të ketë kontrolle efikase teknike para se të zhdoganohet vetura.

Por, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, është shprehur e rezervuar ndaj këtij propozimi. Ajo tha për gazetën JnK se e ka përkrahur në parin iniciativën pasi në disa pika ka pas qëndrim pro, por, jo për nenin 44.

“Unë personalisht kam rezerva për ta ndryshuar nenin 44 për shkak të heqjes së kufizimit të vjetërsisë së veturave. Nuk e di nëse është gjë e duhur që të hiqet ky kriter i tillë për faktin e vetëm që jo më pak se në janar të këtij viti jemi hy si kryeqytet në top listë në vendet me ajrin më të ndotur. Askush nuk mundet me thënë që veturat e vjetra nuk kontribuojnë në të”, tha Bajrami.

Bajrami tha se nuk kanë asnjë analizë që e tregon se qytetarët janë ankuar për këtë kufizim.

Rinora Gojani, nga KOSID, vlerëson se ky ndryshim nuk duhet të bëhet. Gojani shtoi se kur është bërë kufizimi, kjo masë është përshëndetur.

“Këto ndryshime nuk duhet me u bë për shkak se e dimë se çfarë vetura të vjetra kemi në Kosovë dhe në kohën e dimrit për shkak edhe të transportit e kemi gjendjen-ndotjen e ajrit të dëmshëm dhe të rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Kjo ka qenë një ndër masat të cilën e kemi përshëndetur kur është bërë kufizimi”, tha Gojani për gazetën JnK.

Një gjë e tillë, sipas saj, nuk duhet të ndërrohet tash verës, pasi dimrit e kemi gjendjen e ajrit të keqe.

“Nuk duhet me u heq, nuk kanë kaluar as një vit prej se është vendos kjo ndalesë dhe tash nuk ka as arsyetim të mirëfilltë se pse po bëhet kur e dimë se çfarë vetura po vijnë në Kosovë”, tha Gojani.

Ajo shtoi se kriter do të duhej të ishte motori dhe performanca e automjeteve.

“Meqë e shohim që as kriteret në kohën e regjistrimit nuk merren parasysh dhe regjistrohen edhe vetura që nuk ish deshtë me u leju me dal në komunikacion duhet me u marrë masat rigoroze në këtë rast bllokimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet”, shtoi Gojani.

Ellen Frank Lajqi, nga OJQ “ERA”, tha për gazetën JnK se duke marrë parasysh se ndotja e ajrit është problem madhor mjedisor dhe shëndetësor në Kosovë, ndalimi i regjistrimit të automjeteve më të vjetra se 10 vite është një hap (përpara) në adresimin e kësaj çështjeje.

“Megjithatë, sigurisht, nuk mund të jetë zgjidhja e vetme, por duhet të jetë pjesë planit të adresimit të cilësisë së ajrit të cilin e marrim”, tha ajo.

LM